Nga Edona Llukacaj
Koncepti i bukur i mikpritjes shqiptare ka filluar të marrë disa përmasa të palezetshme përulësie ndaj vendeve të zhvilluara, të përzier me interesa dritëshkurtra, që po i kushton shqiptarëve fort shtrenjtë.
Pikërisht kështu mund të shpjegohet ardhja e disa qindra afganëve tre vite më parë. Për ta, Shqipëria presupozohej të funksionte si një farë ure a trampoline drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa ne i deshëm se mikpritja jonë gjoja do njihej ndërkontitentalisht. Të gjithë e kujtojmë se në emër të saj, afganët që arratiseshin nga talebanët i patën pritur në aeroport shtetarët më lartë. I sistemuan në resorte luksoze, të bindur se sezoni tjetër turistik ata do i gjente gjetkë, ndërsa fama do rrinte me ne. Por disa dhjetëra nga ata afganë janë ende këtu. Me gjasa, nuk do e prekin kurrë ëndrrën amerikane. E meqë afërmendësh s’kanë ku kthehen, t’i gëzojmë e të na gëzojnë! Më resortesh dot nuk i strehojmë, por asnjë kod zakonor a ligjor nuk lejon të hidhen rrugëve.
Edhe marrëveshja me Italinë për emigrantët që do fillojë të implementohet këto ditë apo ajo e ngjashmja që përflitet se do bëhet së shpejti me Gjermaninë me të njëjtin soj “mikpritjeje” është e mbështjellë. Sipas udhëheqësve tanë, si shqiptarë, na e dashka zakoni të bëhemi “urë e kalldrëm” për fatkeqët e mbetur ujërave të Mesdheut. Të ardhurat e premtuara nuk i llogarisim, se në buxhet një thelë do shkojnë. Ndërsa emigrantët që do mbeten “as të bregut, as të detit” do na gëzojnë e do i gëzojmë në cepin tonë europian jo Europë.
Të njëjtën mikpritje të deformuar e dritëshkurtër implementuam edhe për sezonin turistik, që po mbaron shumë para se ishte projektuar dhe jo me prurjet e ëndërruara. Teksa kërkonim të sillnim turistë pasunarë që do iu lidheshin këmbët për Shqipëri sa ta shihnin me sy, harruam se as infrastruktura, as kapacitet pritëse, se shërbimi jo se jo, nuk i justifikonin ëndërrimet tona. Refuzuam ta kuptonim sa nga Perëndimi do vinin, kryesisht, eksplorues destinacioni që llogaritë i bënin me lapsin e mprehtë. Mikpritjen e rezervuam për këta të jashtmit, ndërsa pushuesit tanë besnikë – shqiptarët e mërguar dhe ata nga trojet – i ftohëm edhe më me lloj-lloj dallaveresh të shëmtuara.
Por që veç të na urdhërojnë një grusht miqsh perëndimorë, ne bëjmë sakrifica edhe më të mëdha se ravijëzimi i turizmit sipas pushimeve të tyre imagjinare. Nuk hezitojmë t’i presim krahëhapur edhe kur kjo ndikon drejtpërdrejt fëmijët tanë. Prej vitesh tashmë, në shumë shkolla, kryesisht në ato më të kripurat jo-publike, prania e mësuesëve dhe pedagogëve të huaj promovohet si një avantazh i pakontestueshëm. Arsimtarëve të tillë iu jepet përparësi në çdo aspekt. Mund të punësohen fët e fët, pa i lodhur me procedura e intervista. Zakonisht ngarkohen minimalisht. Ndodh që iu jepen edhe pozicione drejtuese. Krahas rrogave të majme iu sigurohet edhe akomodim e të tjera lehtësi. Përtej reklamës, pak flitet për vlerën e tyre reale. Pak dihet se sa syresh kontribuojnë vërtet në proflilin përkatës dhe a i përmbushin kriteret për të ushtruar profesionin.
Sipas ligjit në fuqi, shqiptarëve që aspirojnë të bëhen mësues i duhet një master në pedagogji vetëm për të pasur të drejtën që të hynë në provimin e licencës. Edhe pse ka mungesë të theksuar mësuesish, sidomos në disa profile, atyre me master shkencor, pra me 5 vite edukim në një fushë të caktuar, iu duhet minimalisht certifikimi psiko-pedagogjik për të hyrë në këtë provim.
Nga ana tjetër, për mësuesit e importuar këto kritere, duket se rrallë merren për bazë. Pa dashur të fyej asnjë arsimtar të huaj në Shqipëri, flitet se nuk mungojnë ata jashtë profilit apo krejtësisht jo në profesion. Ofenduese si për mësuesit shqiptar si për të huajt që kontribuojnë denjësisht duhet të jetë edhe cilësia e atyre që veç në Shqipëri mund ta kenë këtë status. Të qënit të aftë dhe të shëndetshëm për t’i bërë ballë sfidave të përditshmërisë me nxënësit është një tjetër kriter, për të cilin një ngjarje e dhimbshme në kryeqytet, së fundmi, dëshmoi se mekanizmat vlerësuese nuk funksionojnë si duhet.
Dëshira për t’i bërë përshtypje pozitive si mikpritësa SHBA-ve la afganët e pritur me tapet të kuq rrugëve. Marrëveshja për emigrantët e Mesdheut, dukshëm, do të ketë të njëjtin efekt. Shpërfillja e turistit të gjithëhershëm se do mirëpriten të huajt e paqenë dhe përqendrimi në ata pak që shkelin këtë tokë është veçse pasqyrimi i kompleksit tonë të inferioritetit. Po njëlloj është edhe mitizimi i pedagogëve të huaj.
Prandaj ndoshta ka ardhë momenti të mendojmë nëse është kjo “mikpritja që duam”.