5.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Si sponsorizohet Andi Bushati, nga familja Meta-Kryemadhi

    Monika Kryemadhi shpërndau në rrjetet sociale një opinion të Andi Bushatit. Ky i fundit analizonte sipas këndvështrimit personal zhvillimet në Tiranë, duke iu referuar dy shkrimeve e vlerësimeve të mediave ndërkombëtare.

    E para që i referohej gazetari ishte “The Guardian”, që kritikon kullat në kryeqytet, ndërsa e dyta është platforma ‘Numbeo’, një platformë e hapur dhe po aq e besueshme sa është edhe Wikipedia për historinë, apo përshkrimin e figurave historike (kujto këtu që deri vonë në Wikipedia edhe Skënderbeu nuk ishte shqiptar).

    Në këndvështrimin e tij, Bushati e sheh Tiranën pa ngjyra, pra ‘bardhezi’. Sigurisht, Tirana nuk është as rozë, as e bardhë dhe as e zezë. Ajo ka problemet e saj, si çdo kryeqytet europian, aq më tepër kur bëhet fjalë për një kryeqytet në zhvillim.

    Gjithsesi, si Andi Bushati mund të mendojnë edhe të tjerë, banues ose jo në Tiranë. Por, ajo që të bën të reagosh është se këndvështrimin e Bushatit, Monika Kryemadhi mundohet t’ua imponojë shqiptarëve, jo më shumë se e beson vetë ashtu siç e ka shkruar ai, se sa nga fakti që i përshtatet politikës së ditës dhe politika e ditës e ish-LSI së shndërruar në Parti Lirie është mbrojtja e interesave dhe privilegjeve të dyshes Meta-Kryemadhi.

    Të dy po e ndjejnë siç duket se po u rrëshket toka nën këmbë dhe me thonj po kapen pas çdo ndodhie në përpjekje për të ruajtur këto privilegje. Ndryshe si do të shpjegohej fakti që as Kryemadhi dhe as Ilir Meta nuk shpërndajnë për ndjekësit e tyre dhjetra e dhjetra shkrime, investigime e analiza që lidhen me aferat e dyshuara korruptive të tyre.

    Nga këto shkrime mund të gjejnë ndoshta edhe të vetë Andi Bushatit para disa vitesh, por edhe nëse nuk rrëmojnë dot aq larg në arkivën e Google, ka të tjerë që kanë shkruar, investiguar e analizuar dokumente e fakte që kanë dalë e dalin përditë për aferat e dyshuara të çiftit të Partisë së Lirisë.

    Nëse nuk gjejnë dot, mund t’i kërkojnë edhe Andi Bushatit e gazetarëve të tjerë (ashtu siç Meta u kërkoi këtë të hënë që të investigonin Portin e Durrësit) që të investigojnë e analizojnë akuzat e ngritura ndër vite kundër tyre që nga lidhjet me krimin, deri te korrupsioni. Ky i fundit ka mbërritur deri në Uashington, ku me paratë e tij, Ilir Meta dyshohet se ka lobuar në Kongresin dhe administratën e Shtëpisë së Bardhë në më shumë se një rast.

    Vetëm pasi të ftojnë gazetarët e analistët që të investigojnë e analizojnë këto akuza, si Ilir Meta, ashtu edhe Monika Kryemadhi mund të marrin në dorë flamurin e antikorrupsionit pa e bërë atë pis. Deri atëherë, Kryemadhi e Meta do të jenë të pabesueshëm, të paktën për shumicën e shqiptarëve.

    Me përjashtim të Andi Bushatit e disa gazetarëve të tjerë, të cilët nuk kanë shkruajtur asnjë rresht për Metën e Kryemadhin, të cilët tani po dalin edhe hapur duke shpërndarë shkrimet e tyre.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit