23.5 C
Tirana
E enjte, 22 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Si të bindësh një burrë të shkojë në terapi (pa e trembur si fëmijë)

    Nuk është thjesht stereotip: shumë burra (shumë!) janë rritur me idenë se terapia është “për ata që s’janë mirë”. Kjo është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme për çdo marrëdhënie që përballet me sfida. Nëse ti e di që diçka nuk shkon dhe ai nuk pranon të hapë gojën për ta përmirësuar, atëherë duhet të veprosh ndryshe.

    Psikologia klinike Jonice Webb liston disa mënyra se si mund ta bindësh partnerin të ulet përballë një terapisti – jo si “fajtor”, por si pjesë e një skuadre që po përpiqet të fitojë.

    1. Siguroje që terapia nuk është një ferr i frikshëm

    Shumë burra e shohin terapinë si një kuti që kur e hap, del gjithë kaosi i botës. Disa mendojnë se “nëse s’flas për problemet, ato s’ekzistojnë”. Jepi siguri që terapia nuk është për t’u grindur, por për të kuptuar njëri-tjetrin si partnerë, jo si armiq.

    2. Ndihmoje të përballet me ndjenjat (të tuat dhe të tijat)

    Burrat kanë ndjenja. Plot. Por janë rritur me idenë që s’duhet të flasin për to. U duket sikur ndjenjat janë të çuditshme, të papërshtatshme, madje edhe të rrezikshme. Thuaji që ti mund t’i përballosh ndjenjat e tij dhe se edhe terapisti është aty për ta bërë këtë proces më të lehtë.

    3. Zbulo çfarë e pengon

    Ndoshta ai s’e sheh problemin që ti po e përjeton çdo ditë. Ndoshta vjen nga një familje që nuk fliste për emocionet dhe nuk e kupton rëndësinë. Në vend që të këmbëngulësh pa rezultat, kupto çfarë e pengon dhe pastaj puno bashkë me të për të thyer atë barrierë.

    4. Prezanto shqetësimet e tua, jo “gabimet e tij”

    Mos ia numëro problemet si në gjyq. Fol me kujdes dhe pa gjuhë akuzuese. Përdor fjalë si: “Unë ndiej se…”, jo “Ti gjithmonë…” apo “Ti kurrë…”. Qëllimi është të tregosh që dëshiron ta përmirësosh marrëdhënien për të dy, jo ta fajësosh.

    5. Merr përgjegjësitë e tua

    Kur ti pranon gabimet apo sjelljet e tua të paqëllimshme, ai do ta shohë se terapia nuk është “salla e gjyqit për burrat”, por një hapësirë për të dy. Jep shembullin me veten – kjo është më bindëse se çdo ultimatum.

    6. Pyete për dyshimet e tij dhe dëgjo me vëmendje

    Kur ai të tregojë pse nuk do të shkojë, mos e ndërprit.  Nuk ke pse të biesh dakord me të, thjesht të tregosh që je duke e dëgjuar me të vërtetë.

    7. Jepi siguri me “garanci personale”

    Shembuj:

    “Të premtoj që s’do të të vë në siklet para terapistit.”
    “Nëse ndihesh keq gjatë seancës, ma thuaj dhe ndalojmë.”
    “Provoje vetëm 3 herë. Nëse s’funksionon, flasim sërish.”

    8. Jep një ultimatum të butë (nëse duhet)

    Nëse pas gjithë përpjekjeve s’ka asnjë ndryshim, thuaji me kujdes:

    “Nëse vërtet do që kjo lidhje të funksionojë, kemi nevojë për terapi.”

    9. Dhe nëse prapë nuk funksionon…

    Po, ndodh. Dhe në këtë pikë duhet të mendosh për veten tënde. Ti ke të drejtë të kërkosh një lidhje të shëndetshme dhe të rritesh emocionalisht bashkë me partnerin. Nëse ai s’është gati të përballet me veten, ndoshta duhet të përballesh ti me të vërtetën.

    Në fund të ditës, terapia është një akt dashurie, jo një ndëshkim.
    Nëse ai të do, do të të dëgjojë. Nëse jo – atëherë është koha që të dëgjosh veten tënde.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit