“Ick”-u është një ndjesi që mund të shkatërrojë gjithçka. Mund të jesh duke shijuar një takim të këndshëm, një flirtim me një kamerier simpatik apo një marrëdhënie të re, derisa ndodh diçka që të bën të ndihesh e neveritur.
Por çfarë është “ick”?
Është një reagim i papritur neverie që na shkakton një ndjenjë të fortë largimi. Ndoshta ke dëgjuar partnerin të prodhojë një tingull të pakëndshëm, ke parë diçka që të ka bërë përshtypje të keqe, ose ndonjë sjellje që nuk përputhet me pritshmëritë e tua. Mund të jetë diçka e vogël, si mënyra se si hanë bukë, apo diçka më e rëndësishme, si mungesa e empatisë ndaj të tjerëve.
Ti përpiqesh ta largosh nga mendja, por nuk ia del. Kjo ndjenjë e fortë neverie të mbetet gjatë, duke të bërë të ndihesh e bllokuar dhe e pasigurt për marrëdhënien.
Pse ndodh “ick”-u?
Neveria është një emocion që është zhvilluar për të na mbrojtur. Në thelb, është një mekanizëm mbijetese që na ndihmon të shmangim gjërat që mund të jenë të dëmshme për ne, si ushqimet e prishura, papastërtitë apo situatat që shkaktojnë pasoja të këqija.
Megjithatë, kur neveria fillon të ndërhyjë në jetën tonë romantike dhe seksuale, situata komplikohet. A duhet ta ndalojmë një marrëdhënie për shkak të “ick”-ut? A është kjo një shenjë që diçka nuk shkon, apo thjesht një reagim i tepruar emocional që mund ta kapërcejmë?
Si të kapërcesh “ick”-un
Nëse “ick”-u po ndërhyn në marrëdhënien tënde, ka disa mënyra për ta menaxhuar dhe për të kuptuar nëse ndjesia është kalimtare apo një shenjë që duhet të reflektosh më thellë.
1. Shiko situatën nga një këndvështrim tjetër
Ndonjëherë, ne priremi të përqendrohemi shumë te një incident i vetëm, duke harruar të shohim anët pozitive të personit përballë nesh. Pyet veten: A është kjo ndjesi një reflektim i diçkaje të madhe, apo thjesht një detaj i vogël që po e zmadhon?
2. Aftësia për të toleruar
Marrëdhëniet kërkojnë durim dhe tolerancë. Nëse ndjenja e “ick”-ut nuk lidhet me ndonjë çështje morale apo të rëndësishme, përpiqu të kalosh mbi të. Përqendrohu te gjërat që të pëlqejnë te partneri yt dhe shiko nëse ndjenja zbehet me kalimin e kohës.
3. Intimiteti si ndihmë
Në shumë raste, një lidhje e fortë emocionale dhe fizike mund të ndihmojë në largimin e këtyre ndjenjave. Ajo që të ka bezdisur mund të duket më pak e rëndësishme kur lidhja juaj bëhet më e thellë.
Në fund të fundit, “ick”-u” mund të jetë një reagim i zakonshëm, por gjithmonë duhet të pyesësh veten nëse ndjenja është një sinjal i rëndësishëm apo thjesht një keqkuptim emocional që mund të zgjidhet. Nëse nuk je i/e sigurt, merr kohë për të reflektuar dhe ndjek zemrën tënde.