Shqiptarët e ardhur nga jashtë që kishin zgjedhur zonën e Kunes në Shëngjin për pushime janë penduar.
Në pikun e verës kjo zonë turistike vuan mungesën e ujit të pijshëm.
Një shqiptar tregon për mikrofonin e Ora News se ka ardhur nga Zvicra ku jeton për të kaluar pushimet por nuk e fsheh që është penduar.
”Ka 10 ditë që jam këtu ka problem me ujin. Uji është jeta, si të pastrohemi. Unë për vete jetoj në Zvicër dhe kam ardhur me pushime në vendin tim por kur s’ke ujë çfarë do të bësh, do të ikësh” thotë ai.
Edhe një tjetër shqiptar tregon se kjo verë është e fundit që vijnë në Shqipëri.
“Nuk ka ujë për tu larë, jo më të pish. Nuk më shkon mendja të vij më në Shqipëri”
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizime në Lezhë bën më dije se ndërprerjet e ujit të pijshem në Kune vinë nga mungesa e energjisë në stacionin e pompave. Por e kontaktuar për këtë çështje OSHEE në Lezhë thotë se stacioni i pompave ka linjë elektrike të dedikuar, që menaxhohet nga vetë ujësjellësi.