Një skandal i paprecedentë ka ndodhur në sallën e gjyqit, ku palë në proces janë ish-ministri i Mbrojtjes në kohën e shpërthimit në Gërdec dhe banorët e fshatit, të cilët humbën familjarët e tyre nga shpërthimi i municioneve.
Mediu ka akuzuar banorët e Gërdecit se janë të paguar nga Soros, duke ju hakërryer se ka 15 vite që endet gjyqeve dhe dëgjon akuzat e tyre.
Qëndrestarë të kësaj çështje janë anëtarët e familjes Durda, Zamira, bashkëshorti Feruzani dhe djali Geraldo Durda. Ata humbën djalin 7 vjeçar, i cili kishte dalë të luante me biçikletë por nuk u kthye më i gjallë në shtëpi.
Megjithatë, ish-ministri Fatmir Mediu ka kërkuar që anëtarët e familjes Durda të dilnin nga salla e gjyqit, ndërsa Feruzani i është kthyer keq, kur ish-ministri në kohën e Qeverisë Berisha i akuzoi si të paguar, ndërkohë që ata kanë humbur djalin.
“15 vjet kam unë që pres”, është shprehur Feruzan Durda, teksa u ngrit në këmbë dhe ju përgjigj ish-ministrit. “Mos thuaj kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që presim. Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot”, ka shtuar ai.
Sipas avokatëve të Fatmir Mediut, avokati i familjes Durda, Dorjan Matlia është drejtor i organizatës “Respublika”, e cila sipas tyre është ngritur dhe financohet nga fondacionet e George Soros.
Fatmir Mediu: Kjo zyrë është ngritur me fondet e Soros, është fakt. Me gjithë respektin për familjarët, në këtë proces nuk mund të ketë dy prokurori.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i familjes Durda, Geraldo Durda, iu përgjigj deklaratave të ish-ministrit.
Geraldo Durda: Ta ka dhënë përgjigjen Gjykata e Strasburgut, lëre mandatin e deputetit dhe përballu me gjykatën.
Avokati Dorian Matlia: Meqë kërkuan të dalë nga salla Geraldo Durda, atëherë jemi dakord të largohet në mënyrë që të mos kemi pengesa.
Fatmir Mediu: Kemi 15 vite që ju dëgjojmë.
Feruzan Durda ngrihet në këmbë:15 vjet kam unë që pres. Nuk e financon Soros, se e ka marrë në 2008 çështjen. Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që presim. Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot.



