14.5 C
Tirana
E shtunë, 18 Tetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Skema e Pacollit në Luksemburg dhe Zvicër për të rrëmbyer aeroportin e Vlorës

    Një analizë e inteligjencës financiaro-koorporative e përkthyer nga Hashtag.al zbulon për herë të parë levën që vuri në lëvizje institucionet shqiptare kundrejt Behgjet Pacollit.

    Për një lexues që nuk është njohur me çështjen vlen të theksohet se Pacolli hyri si investitor në aeroportin e Vlorës bashkë me biznesmenin Imer Ademi, emri i Pacollit u sugjerua nga Belinda Balluku te kryeministri Edi Rama.  Ky i fundit, me kompetencën e rrallë që e karakterizon, e trajtoi si investim kozmetik aeroportin dhe deri pak muaj më parë ishte i shqetësuar a do ishte gati aeroporti i Vlorës për të bërë spektakël para zgjedhjeve.

    Ndërsa në TV shfaqej spektakli elektoral, Behgjet Pacolli bënte gati në Zvicër dhe Luksemburg kompanitë dhe skemën tregtare që përgatiste rrëmbimin e asetit.

    Pas fitores së zgjedhjeve dhe mandatit të IV të Edi Ramës, ndërsa të gjithë ishin gjithë sy e veshë se kush do ishin ministrat e rinj, ose më saktë ishin sy e veshë a i kishte ardhur radha Belinda Ballukut të lëvizte nga aty ku është, në zyrën e Edi Ramës mbiu Behgjet Pacolli dhe i plasi bombën. Ai i bëri të ditur në zyrë Ramës se administrator i kompanisë së tij Valon Lluka me Belinda Ballukun ishin dy hajdutë që kishin bërë manovra pas shpinës së Pacollit, e me këtë rast, Pacolli kishte vendosur të grabiste aksionet e dy hajdutëve.

    Pacolli ja paraqiti situatën Ramës me një gjuhë dhe arsyetim vulgar sikur ishin grabitur disa qese me patate, e me këtë rast, pastaj Pacolli i revoltuar i kishte futur të gjitha patatet ne thesin e vet.

    Ky ishte momenti kur Edi Rama u alarmua , kërkoi ndihmë dhe bëri njoftimet përkatëse.

    Në fakt Pacoli përtej arsyetimit vulgar që bëri në Tiranë, rezulton se në Zvicër dhe Luksemburg ka përgatitur terrenin në mënyrë tepër të sofistikuar për të bërë kalimin e aksioneve të grabitura të aeroportit në një modul koorporativ që e neutralizon përfundimisht çdo mundësi të shtetit shqiptar për të marrë pas aksionet, nëse nuk veprohej në kohë.

    Skema e hollë e gjetjes së kompanive jashtë vendit, tejkalon vizionin si spekulant të Pacollit dhe thesit të tij me patate, pas kësaj skeme është me siguri një palë tjetër që njeh mirë shtigjet financiaro-koorporative.

    Skema e Pacollit në Zvicër dhe Luksemburg nuk është analizuar dhe as është njoftuar dot nga institucione të Intelit shqiptar apo të jurisprudencës tregtare shqiptare, autoritetet e Shqipërisë janë tundur dhe orientuar nga vendet partnere.

    Më poshtë botohet e përkthyer e plotë analiza financiaro-koorporative që vuri në lëvizje autoritetet në Tiranë:

    Posedimi pa kompromis i aksioneve dhe kalimi i tyre në një modul ku përfshihen kompanitë e huaja “Compartment Bernina” dhe “Delpho Securities” paraqitet alarmante.

    Nëse “Compartment Bernina” nuk bllokohet përpara mbylljes, procesi i likuidimit të tij përbën fazën më të rrezikshme dhe të pakthyeshme juridikisht për të gjitha palët shqiptare të përfshira në projektin e Aeroportit të Vlorës, sepse në bazë të Ligjit të Luksemburgut të datës 22 Mars 2004 “Sur la titrisation” (Ligji për Titullizimin), veçanërisht nenet 61, 62 dhe 64, çdo “compartment” i një shoqërie titullizimi (“société de titrisation”) konsiderohet njësi ligjore e izoluar (“ring-fenced compartment”), e cila mban pasuri dhe detyrime të ndara nga pjesa tjetër e shoqërisë mëmë. Në momentin që kompartmenti shpallet i mbyllur (“liquidated”), ai zhduket ligjërisht nga regjistri tregtar i Luksemburgut dhe asnjë subjekt nuk ka më kapacitet juridik për të përfaqësuar apo për t’u paditur në emër të tij.
    Sipas nenit 61 të Ligjit të Titullizimit, “Të gjitha pasuritë dhe të drejtat që i përkasin një kompartmenti i takojnë ekskluzivisht mbajtësve të titujve të atij kompartmenti dhe nuk mund të kërkohen nga ndonjë kreditor tjetër i shoqërisë.” Në përputhje me këtë nen, në momentin e mbylljes, të gjitha pengjet, të ardhurat dhe të drejtat që Delphos ka marrë përmes kësaj kontrate mbi projektin e Aeroportit të Vlorës – përfshirë kuotat, llogaritë bankare dhe të ardhurat koncesionare – kalojnë automatikisht te investitorët privatë që kanë financuar “Compartment Bernina”, të cilët bëhen përfituesit përfundimtarë të aseteve.
    Ndërkohë, neni 62 i po këtij ligji përcakton se kreditorët e jashtëm nuk kanë asnjë të drejtë mbi pasuritë e kompartmentit, duke i bërë ato të paprekshme nga çdo kërkesë apo padi jashtë rrethit të investitorëve.
    Në të njëjtën kohë, klauzolat kontraktore “limited recourse” dhe “no-petition”, të cilat janë pjesë integrale e marrëveshjeve të titullizimit dhe referohen në seksionet standarde të marrëveshjes “Delphos–Mabco”, i heqin palëve të tjera (përfshirë VIA-n dhe aksionarët e saj) çdo të drejtë për të kërkuar falimentim, kompensim ose ndjekje gjyqësore ndaj shoqërisë mëmë “Delphos Securities S.A.R.L.” përtej aseteve të vetë kompartmentit. Kjo do të thotë se përmes kombinimit të këtyre dispozitave, në momentin e likuidimit:
    • Delphos nuk mban më asnjë përgjegjësi ligjore ose financiare për detyrimet që burojnë nga kontrata;
    • “Compartment Bernina” nuk ekziston më si person juridik;
    • asnjë gjykatë shqiptare nuk ka juridiksion mbi asnjë pjesë të pasurisë së sekuritizuar, sepse e drejta e zbatueshme është ligji i Luksemburgut dhe juridiksioni kompetent është ai i Luksemburgut ose i Londrës (siç përcaktohet në nenet përfundimtare të kontratës).

    Si pasojë, VIA SH.P.K., 2A Group SH.P.K. dhe Shteti Shqiptar humbasin automatikisht çdo të drejtë për të ushtruar kërkesë, padi, pretendim apo kompensim ndaj Delphos-it, ndaj kompartmentit apo ndaj investitorëve që kanë përfituar nga mbyllja.
    Në terma juridikë ndërkombëtarë, kjo situatë përbën shuarje “ex lege” të çdo mjeti juridik, për shkak të kombinimit të (i) mbylljes ligjore të subjektit (likuidimi), (ii) transferimit të aseteve sipas nenit 61 të Ligjit për Titullizimin, dhe (iii) heqjes dorë të paracaktuar nga çdo mjet gjyqësor nëpërmjet klauzolave “no-petition” dhe “limited recourse”.
    Praktikisht, kjo do të thotë se, pas mbylljes së “Compartment Bernina”, kontrolli ekonomik mbi të ardhurat, llogaritë dhe të drejtat e Aeroportit të Vlorës kalon në mënyrë të pakthyeshme dhe të legalizuar te investitorë privatë anonimë jashtë juridiksionit shqiptar, ndërsa Shteti Shqiptar nuk ka më asnjë instrument ligjor për të kërkuar kthimin e pasurive publike që i përkisnin këtij projekti.
    Ky është një precedent i rrezikshëm, sepse përmes një marrëveshjeje të tillë, humbet jo vetëm kontrolli ekonomik dhe administrativ mbi projektin, por edhe vetë sovraniteti juridik i shtetit mbi një pasuri publike strategjike, pasi kontrata dhe asetet që burojnë prej saj dalin përfundimisht jashtë juridiksionit shqiptar dhe sistemit ligjor të tij. 

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit