18.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Prill, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Skerdi Drenova shantazh dhe kërcënime punonjësve të UKT për t’i larguar nga puna pas zgjedhjeve! Akuzat në OST dhe si i vendosi 50 mijë euro gjobë një anëtari të botës së krimit të ndërtonte pa leje në Tiranë

    E ka nisur me “këmbë të mbarë” detyrën e re në krye të Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Skerdi Drenova, ku vetëm në pak javë pas marrjes së postit të drejtorit, ka marrë një kallëzim në SPAK dhe një denoncim publik për vjedhjen e abonentëve të kësaj shoqërie.

    Duke mos mjaftuar këto problematika, së fundmi një denoncim ka ardhur në redaksinë e gazetës Dita, ku punonjës të administratës së UKT Tiranë, ankohen se drejtori i ri ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj punonjësve të këtij institucioni përmes vartëses së tij Joana Nano, me qëllim largimin e tyre nga puna dhe rekrutimin e militantëve ndoshta në këmbim të votës.

    Meqënëse nga data 3 Mars është i ndaluar punësimi dhe rekrutimi i punonjësve të ri në administratë, drejtuesit e UKT po përgatisin terrenin të largojnë me të mbaruar zgjedhjet e 11 Majit të gjithë ata që prej vitesh punojnë në UKT, duke i dhënë masa disiplinore në shkelje të rregullores së institucionit.

    Skerdi Drenova nuk shihet asnjë ditë në ambientet e institucionit, madje vartësit e tij ankohen, se që pas marrjes së detyrës, ka nga ata që se kanë parë ende me sy drejtorin, për sa kohë del dhe lyp vota për ministren Belinda Balluku, ndaj të gjithë punën dhe kompetencat ia ka deleguar Joana Nanos, e cila është më shumë se krahu i djathtë i Drenovës, edhe në kohën kur ky i fundit drejtonte OST. Për Joanën dhe Skerdin do të flasim në një artikull të radhës.

    Sa i përket mungesës së Drenovës në punë, SPAK mjafton të tërheq vetëm kamerat e UKT për të kuptuar se prezenca e tij në institucion është thuajse zero. Gjatë kohës së fushatës, Drenova si titullarë e ka të detyruar me ligj të raportojë në KQZ të gjithë lëvizjet dhe aktivitetet e tij 5 ditë përpara, madje është KQZ që duhet t’i aprovojë lëvizjet apo jo. Kjo rregullore është vendosur për të ndaluar titullarët e institucioneve për të bërë fushatë për partitë respektive, e cila është reptësisht e ndaluar. Gazeta Dita po rakordon lëvizjet e drejtorit me kërkesat e tij drejtuar KQZ.

    Po pse ky sulm ndaj punonjësve të UKT? Për ata që nuk e njohin Skerdi Drenovën, ky i fundit ka punuar si drejtor i Inspektoriatit të Ndërtimit në Bashkinë Tiranë, në kohën kur bashkia drejtohej nga Erion Veliaj. Veliaj e shkarkoi Drenovën për një sërë skandalesh vjedhjesh dhe gjobash nga ky inspektoriat. Rasti më flagrantë është kur Drenova i vendosi gjobë 50 mijë euro një biznesmeni dhe një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Fier, që të ndërtonte pa leje në Tiranë.

    Pas shkarkimit nga ana e Erion Veliajt, Skerdi u hodh menjeherë në krahët e ministres Belinda Balluku, e cila duke e njohur për cilësitë e tij, e katapultoi direkte në çerdhen e hajdutëve të institucioneve të saj të vartësisë.

    Që prej Janarit të vitit 2019, Skerdi Drenova ka mbajtur postin e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), deri në Janar të 2025, kur Balluku vendosi ta shkarkonte nga kreu i OST-së dhe e emëroi në postin e drejtorit tek “Albgaz” sh.a. e cila është një shoqëri aksionere me 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti shqiptar.

    Me emërimin e Skerdi Drenovës në krye të UKT-së, mund të shihet edhe si një shtrirje e “tentakulave” të Belinda Ballukut edhe në Bashkinë e Tiranës, tashmë pas arrestimit të rivalit të saj brenda partisë, Erion Veliajt.

    Skandalet e drejtorit të sapoemëruar të UKT

    – Vetëm disa javë nga marrja e postit të drejtorit një skandal i paprecedentë plasi në UKT, ku banorë të disa zonave të Tiranës, kryesisht atë të Komunës së Parisit, u ankuan për ujë të ndotur, ndërkohë institucioni i drejtuar nga Skerdi Drenova nuk kishte njoftuar për punime në zonë. Gazetari Arsen Rusta depozitoi një kallëzim në SPAK për drejtorin Skerdi Drenova për Shpërdorim Detyre, Ndotje e Ujit dhe Tokës dhe Krim Kundër Njerëzimit.

    – Nën drejtimin e Drenovës, Ujësjellësi i Tiranës ka ndërmarrë një fushatë grabitjeje të mijëra abonentëve të qytetit të Tiranës, në një skemë vjedhjeje që nuk është parë apo dëgjuar ndonjëherë. Së fundi UKT i ka nisur një abonenti, detyrimin për të paguar paratë e pronarit të mëparshëm të pronës. Praktikisht ish pronari, le ta quajmë zoti X, ka pasur një kontratë nga 2006 me UKT. Në vitin 2008, X ia shiti pronën Y dhe ky i fundit ka hapur një kontratë të re në vitin 2008 me UKT. Por UKT në pamundësi për t’i rënë gomarit i ka rënë samarit, detyrimet e X tani ja kërkon Y. Si s’na kishte rënë ndërmend ne të paguanim për tjetrin më përpara thotë Y duke u tallur me fatin e tij të keq. Janë rreth 2 mijë deri 3 mijë abonentë në Tiranë, të cilët ose kanë mbetur pa ujë ose po kërcënohen çdo orë me ndërprerjen e ujit, megjithëse nuk kanë asnjë detyrim ndaj UKT.

    Disa nga akuzat që rëndojnë pozitat e Skerdi Drenovës në kohën kur drejtonte OST

    Skandalet e njëpasnjëshme e kanë shoqëruar gjatë karrierën e drejtorit duargjatë, i cili në vend që të ishte sot duke bredhur dyerve të SPAK, vazhdon të drejtojë me shumë problematika institucione shumë të rëndësishme. Mëposhtë do të listojmë vetëm disa prej tyre.

    1- Skandali i pagave, nepotizëm dhe fryrje të administratës:

    Në kohën kur drejtonte OST, Skerdi Drenova ka pasur 8 drejtorë administrate, 14 juristë, 12 këshilltarë, 45 drejtorë dhe 73 shefa sektorësh anonim. Në këtë institucion Skerdit, përpos pagës së tij 2.6 milionë lekë dhe Drejtores së Kabinetit, Aurora Polo 2.1 milionë lekë, për t’i pasur zili dhe kryeministri, ishin dhe 73 persona të emëruar “Shef sektori” dhe 45 të emëruar “Drejtor”, pa përcaktuar se çfarë shefash e drejtorësh ishin, të cilëve paga u varion nga 1.5 milionë lekë deri 1.8 milionë lekë në muaj. Përpos këtyre në OST dhe sanitaret figuronin 10 me pagë 800 mijë lekë deri 1 milion lekë në muaj.

    2- Skandali i tenderit 220 milion lekë për mish, verë dhe lule si dhuratë “miqve” për vit të ri:

    Tenderi i Skerdit për verë, mish dhe lule i njoftuar më 31 dhjetor 2024. Objekti i tenderit “Shërbime dizenjimi, printimi, materiale promovimi, produkte me qira si dhe organizime të ndryshme për nevojat e OST sh.a.” është thjesht një maskim, sepse thelbi i këtij shpenzimi nuk ka lidhje me dizenjimin e kartëvizitave të Skerdit, por me shërbime dhe produkte të tjera. Shkelja e parë i bëhet planit buxhetor. Ky tender është hapur në ditën e fundit të vitit të kaluar.

    Nga ana tjetër, tenderi bëhet pa mbaruar sendet e furnizuara përmes prokurimit me të njëjtin emër, të kryer në janar të vitit 2023 dhe me afat 2 vjet. Pra, Skerdi i paska mbaruar paratë e luleve para afatit. Tenderi i ri i verës dhe i mishit është denoncuar në KPP për parregullsitë e tij nga një operator ekonomik. Kompania ankimuese Optima Communication sh.p.k. ka shprehur interes për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit me objekt “Shërbime dizenjimi, printimi, materiale promovimi, produkte me qira si dhe organizime të ndryshme për nevojat e OST sh.a”.

    Kujtojmë se ky tender është njoftuar në faqen e APP-se nga autoriteti kontraktor Operatori i Sistemit të Transmetimit OST më datë 31 dhjetor 2024 dhe ishte parashikuar për tu zhvilluar në datë 22 janar 2025.

    3- Skandali i tenderit për trajtimet kozmetike të punonjësve femra:

    Kur drejtohej nga Skerdi Drenova, OST ka hapur një tender me vlerë 130 mijë euro, për trajtimin kozmetik të punonjëseve femra. Teksa të gjithë punonjësit e administratës shtetërore marrin ndihmë mjekësore në shtet kur e kanë të nevojshme, punonjësit e OST-së marrin shërbime mjekësore ekstra edhe në privat me paratë publike, në dokumente sqarohet qartë se bëhet fjalë për trajtime mjekësore që kryhen për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi apo shërimi të një gjendje shëndetësore.

    Këto janë vetëm disa nga skandalet kur OST drejtohej nga Skerdi Drenova, ku shpërdorimi i parave publike ishte kryefjala e institucionit, pa përmendur PPP e fshehura me kompanitë kineze që kapnin vlerën 100 milion euro, ku ERE e rrëzoi procedurën e OST si të paligjshme.

    Dhështimin e linjës së transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë që iu ka kushtuar taksapaguesve 70 milionë euro. Një muaj nga koha kur linja 400 kv Shqipëri–Kosovë, u deklarua se ka nisur operimin nga Operatori i Sistemit të Transmetimit i drejtuar nga Skerdi Drenova, shtyllat e transmetimit rrëzoheshin si birila në zonën e Tropojës duke penguar transmetimin e energjisë mes dy vendeve.

    Pa përmendur dhe kompanitë e preferuara të OST, “Shansi Invest” dhe “G.A.C.”, ku Skerdi Drenova nga qershori i vitit 2019 dhe deri në maj të vitit 2020, katër nga pesë tenderët e kryera gjatë kësaj periudhe janë fituar nga këto dy kompani me të njëjtin pronar, duke kullufitur 17 milion euro nga paratë publike.

    Çfarë doni më për Belulin?!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit