Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, tani Partia e Lirisë, Silva Caka, u emërua sot në postin e zv.ministres së Brendshme.
Emërimi i saj ishte surprizë për të gjithë, duke marrë parasysh faktin se Caka dikur ka qenë një ndër figurat kyçe përkrah Ilir Metës dhe e besuara e këtij të fundit.
E teksa sot qëndron pjesë e qeverisë “Rama 4”, dikur Caka mbante një qëndrim krejtësisht kundër asaj që mund të ketë sot.
Disa herë ajo ka pohuar se Rama është shkaktari kryesor që Shqipëria nuk po anëtarësohet në BE dhe se familja e madhe nuk pranon një qeveri që ka shkatërruar konsensusin dhe parimet bazë të demokracisë.
“Partitë Popullore Europiane kundërshtojnë ndryshimet e njëanshme rilindase të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.
Ato na kujtojnë edhe një herë se një nga kushtet për t’u pranuar në Europë, është hartimi i një Reforme Zgjedhore konsensuale dhe të gjithëpranuar. Rrugë tjetër nuk ka!
Ndryshimet e bëra më 30 korrik 2020 dhe modeli i listave të propozuara nga Rama, ku mund të zgjidhet deputet edhe 1 person i urryer nga qytetarët, por mjafton t’i pëlqejë Edi Ramës, na largojnë nga Europa.
Qytetarët do t’ia refuzojnë këtë mohues të parimeve europiane; qytetarët do të zgjedhin Europën!”, deklaronte Silva Caka në 2020.



