Gazetarja Sonila Meço ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama i cili foli për sovranitet nga të huajt.
Meço i drejtohet Ramës me një pyetje se ku ishte sovranizmi i kryeministrit kur në Kushtetutën e vendit u fut ONM, si mbikëqyrës i Reformës në Drejtësi nga ndërkombëtarët.
“Mirë, shumë mirë, që u kujtua sot rykeministri për sovranitetin e vendit, marrjen e vendimeve sovrane, përfshi edhe amnistinë fiskale.
Nuk po i hyj këtu analizës së nismës per se, që është shkatërruese tregu, dekurajuese e konkurencës, jo efektive për ekonominë dhe e rrezikshme për ndikimin e krimit në procese politike.
Po i rri këtij “sovranizmit” rishtar, që sot na është karta e shpëtimit të ekonomisë nga kriza e që nuk na e mohon dot asnjë dhomë tregëtie, komision, fond, institucion ndërkombëtar.
Po ku ishte ky dell sovranisti, kur ia shqyem kanatet kushtetutës sonë për të futur me gjithsej reformën në drejtësi, ONM-në e perëndimit?
Me gjithë Francë, Gjermani e Amerikë, që sot u tregon vendin për t’mos ndërhyrë në procese të brendshme?
Këtë pyetje kam për sot për “sovranistët” e vonuar, idhtarë të amnistisë fiskale e përçmues të qendrimeve nga jashtë”, shkruan ajo.