30.5 C
Tirana
E enjte, 5 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Sonila Meço kundër deklaratës së Nedës: Prindërit nuk janë egoistë, por të rraskapitur

    Pas deklaratës së Neda Ballukut, e cila u shpreh se prindërit nuk duhet të lodhin gjyshërit me rritjen e fëmijëve të tyre, ka ardhur një reagim nga Sonila Meço.

    Gazetarja ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke ndarë një këndvështrim ndryshe mbi situatën. Ajo kërkon që të mos gjykohen prindërit që ua besojnë fëmijët gjyshërve, duke theksuar se shpesh kjo nuk është çështje egoizmi, por pamundësie.

    “Mos u ngutni të gjykoni prindër që ua rrisin fëmijët gjyshërit. Sepse shumë nuk kanë zgjedhje tjetër në vendin ku jetojmë. Jo prej egoizmi, por pamundësie,” shkruan Meço.

    Ajo e quan gjykimin ndaj këtyre prindërve si një formë morali që nuk merr parasysh realitetin konkret të jetës në Shqipëri. Ajo theksoi se po, gjyshërit janë të lodhur, por kjo lodhje nuk vjen vetëm nga përkujdesja për nipërit dhe mbesat:

    “Jam dakord se gjyshërit janë të lodhur, por jo vetëm nga rritja e detyruar (a me qejf) e nipërve dhe mbesave, por nga një sistem që i trajton si barrë dhe jo si pasuri.”

    Duke iu referuar kushteve të vështira ekonomike, Meço nënvizon se shumë prindër punojnë në mënyrë të pandërprerë, shpesh në më shumë se një punë, vetëm për të përballuar nevojat bazë:

    “Prindërit punojnë edhe 10 orë në ditë, nga 2 punë, shpesh pa fundjavë, vetëm për të përballuar qiranë, faturat dhe ushqimin bazë. Në këto kushte, kur të rrisin fëmijët? Në mesnatë?”

    Për më tepër, ajo kritikon mungesën e kujdesit publik për fëmijët e vegjël:

    “Shteti s’ofron kujdes real për fëmijët e vegjël. Çerdhet dhe kopshtet publike nuk i përmbushin nevojat, janë të mbipopulluara, ndërsa ato private janë të papërballueshme për shumicën. Nuk po flas këtu për pasigurinë fizike e ushqimore.”

    Sipas Meços, problemi nuk është te vetë prindërit, por te mungesa e mbështetjes shtetërore dhe një model politik që ka shpërfillur prindërimin si përgjegjësi publike:

    “Nuk ka politika që ndihmojnë me strehimin, kujdesin ndaj fëmijës, përkrahjen psikologjike apo fleksibilitetin në punë. Nuk ka! Asnjë nga politikanët me pushtet nuk e ka shndërruar këtë në kauzë. Asnjë deputet/e. Të bëhesh prind sot është një barrë private në një shtet që s’ka asnjë përgjegjësi publike.”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit