Së fundmi, një debat është ngritur nga Ylli Manjani, për rrjedhjen e të dhënave personale të të hetuarve nga SPAK.
Sonila Meço, duke replikuar në distancë me Manjanin dhe të tjerët që janë të shqetësuar nga ky fenomen, thotë se nuk është perversitet.
Postimi i Meços
Çfarë ndodh kur shteti i njehsuar me pushtetin zhbën brutalisht institucionin e llogaridhënies?
Patjetër do të shpërthejë si valvul shkarkimi ‘histeria kolektive’.
Nëse sot sqimatarët e pushtetit flasin për histeri të provokuar nga një drejtësi që ‘rrjedh’ informacionin, duhet patjetër të tregojnë edhe anën tjetër të medaljes, se ‘histeria’ provokohet edhe nga mungesa absolute e llogaridhënies.
Kur, ku e si jep llogari sot ekzekutivi, që s’lejon as kontroll parlamentar, as transparencë publike dhe ka kapur me radhë institucionet e kontrollit dhe balancës?
A do të mësynte e dalldisur kureshtia e publikut edhe për një foto e informacion të ‘rrjedhur’ nga prokuroria, nëse detyrimi minimal në demokraci, llogaridhënia do të funksiononte? A do të ishin ato foto e informacione kandisja e vetme për të kuptuar nivelin e korrupsionit?
Pra, publiku nuk mund të lexohet veç nga njëra anë, thjesht spektator pervers. Për ndershmëri ndaj së vërtetës është edhe palë e përjashtuar. E ca mě shumë edhe i manipuluari i një ‘monstre’ ideuar nga vetë pushteti, e tashmë dalë jashtë kontrolli.
E pat thënë Hannah Arendt: ‘Kur publikut i mohohet pjesëmarrja reale, atij i mbetet vetëm spektakli.’ Po po, në zhargonin e kohëve që jetojmë, tallavaja. Tallava sot janë fotot e rrjedhura, ‘vibratorët’, ‘emrat e koduar’, memet, videot, mesazhet në signal.
Çfarë mjeti i ka mbetur në dorë publikut për të kuptuar e kontrolluar çfarë ka pas pushtetit? Nga do kërkojë të shohë publiku kur shteti ka mbyllur dyert e transparencës?
Përtej çdo ndjeshmërie që i sheh të ndara gjërat e jo në funksion tě njëra tjetrës le t’i analizojme në terren konkret e jo ‘sterilitetin’ e atyre që i njohin veç të drejta pushteteve dhe jo detyrime në raport me publikun.
Në rendin kushtetues, privatësia mbron jetën intime, familjare, shëndetin, kontakte personale, por nuk mbulon jetë publike, burime pasurie, influencë, akses pushteti, lidhje të mundshme me korrupsionin.
Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut e thotë qartë: e drejta e privatësisë kufizohet kur është e nevojshme ‘në interes të rendit demokratik, parandalimit të krimit dhe mbrojtjes së të mirës publike’.
Në një demokraci, publiku nuk ka të drejtë të dijë elemente intimë të jetës së zyrtarit publik që nuk lidhen me funksionin e tij. Por ka të drejtë të dijë nëse një politikan është i shantazhuar, i blerë, i kapur, i korruptuar, i lidhur me interesa informale.
Këto nuk provohen me biografi politike, por me prova reale, pasuri, mesazhe, kontakte, komunikime, favorizime, dhurata, llogari bankare. Vetë ligji e parashikon se objekte, transaksione, udhëtime, dhurata, kontakte kriminale, dokumente, mesazhe për favore nuk janë privatësi, por interes publik. Sa më lart pozicioni publik, aq më e vogël zona e privatësisë.
Publiku ka të drejtë të dijë jo vetëm çfarë bën zyrtari në detyrë, por burimet e jetesës, të pasurisë, me kë lidhet dhe si ushtron ndikim.
Pra privatësia nuk mund të shndërrohet në bunker për të mbuluar pushtetin. Në vendet ku demokracia është bërë ‘përshesh’, ku qytetarët nuk reagojnë, u mohohet e drejta për të kërkuar llogari, për të bërë referendume, për të marrë pjesë, u shkatërrohen zgjedhjet, korrupsioni bëhet kulturë, jo rast. Privatësia në këtë rast nuk mund të përdoret si mburojë e korrupsionit. As si alibi morale për heshtje publike. Ndaj bëhet kaq namuzqar diskutimi se publikimi i të dhënave është ‘perversitet publik’, sepse ka më shumë gjasa të jetë simptomë e një sistemi që nuk komunikon kurrë zyrtarisht. Dhe do gjejë diku valvulën e shkarkimit.
Problemi nuk është interesimi i publikut, por mungesa e transparencës institucionale.
Kur pushteti fshihet pas privatësisë, ajo shndërrohet në privilegj të rrezikshëm. Dhe për të shkuar në balancën e peshores jam shumë dakord se kur informacioni përdoret si armë politike, shndërrohet në manipulim. Andaj leximi i ‘gjyqit popullor’, duhet bërë ndershmërisht në të dy anët.



