12 vite më parë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, aty ku duhej të ishte vendi më i sigurtë, mes dy “qeverive”, Legjislativit dhe Ekzekutivit, 4 protestues paqësorë u vranë me urdhër të Kryeministrit, i cili më pas fshiu filmimet, manipuloi provat dhe pengoi drejtësinë.
Dhjetëra u plagosën, qindra të tjerë u dhunuan në rrugë dhe në komisariate. “Drejtësia” dënoi mbi 100 pjesëmarrës të demonstratës së 21 janarit dhe i shpalli vrasjet “nga pakujdesia” dhe “me plumba rikoshetë”.
Askujt nuk i gjeti armë, dinamit, molotov, thika me helm, çadra pistoletë, i dënoi sepse ashtu kishte dashur urdhëruesi i vrasjeve të 21 janarit.
Shteti “i tyre” i dënoi, pasi i rrembeu rrugëve dhe i torturoi.
21 janari i këtij viti do shkojë si të tjerët. Ndoshta Qeveria ka bërë gati ca adete. Do bëhet sot edhe ndonjë manifestim i rastit, tani më i lirë; do thuhen prapë fjalët që duhen thënë për “zbulimin e së vërtetës” megjithëse ajo dihet (mbrëmë doli dhe ca më shumë, në dritë).
Të nesërmën, sheshi do jetë si gjithnjë, me njerëzit dhe mjetet e zakonshme, shiu dhe era do marë lulet e vendosura një ditë më parë, fjalët e Kryeministrit do jenë në faqet e gazetave, edhe tek DITA, familjarët do kthehen në hallet e tyre.
12 vjet pas 21 janarit po sfidohet hapur jo vetëm Drejtësia e Re, por një shoqëri të tërë, ndërsa vrasësi shet moral ekraneve.
Kështu që le t’i lemë sot ngushëllimet për gratë, familjarët, fëmijët e viktimave, ndonjë tashmë i vetëvrarë. Më mirë ta mbajmë gojën mbyllur; duhet të jesh cipëplasur të dalësh në rrugë të kujtosh të rënët; le t’ua lëmë kujtimin e tyre vetëm të afërmve.
Sepse ne të tjerët, politikanë sharlatanë që premtuan ndëshkimin, prokurorë, gjykatës, shoqëri civile, media, tanimë jemi jo vetëm të mbuluar nga turpi.
Por edhe pjesë e krimit nga mosndëshkimi i tij.