Nga Edmond Arizaj
Të gjithë në portale e rrjete: Jepini Luizës kaq lekë. Jepini Luizës kushte. Jepini Luizës benefite. Jepini Luizës mbështetje…
Ore mos vallë keni harruar se Luiza Gega ka pasur nevojë për këtë mbështetjen tuaj, e për zërin e ngritur kur ishte 20-25-27 vjeçe?! Kur dilte e pesta, apo e gjashta? Kur nuk shkonte të konkurronte për flamur tjetër? Kur pista e saj ishte hapësira e liqenit artificial? Etj, etj…
Sot, Kampionia e Europës nuk ka asnjë nevojë për “mbështetjen” e askujt, përveç dashurisë dhe mirënjohjes së qindra mijëra shqiptarëve.
Puna, djersa dhe arritja e saj personale tashmë punojnë vetë. Sepse doli në Botë e pesta dhe nuk pati këtë “vërshim” kërkesash për mbështetje ndaj kësaj vajze. Ka pasur arritje të tjera dhe nuk i ra në sy njeriu, jo më të thurrnin himne.
Luiza Gega është simbol i punës, shumica e atyre “që i qajnë hallin” as nuk e dinë në çfarë disipline garon. Nuk duhet të ulërini për Luizën, ajo sot s’ka më nevojë për askënd, sepse të gjithë do vrapojnë ta përkrahin, por ulërini për atë sportisten shqiptare që konkurroi dhe doli kampione e Europës me flamurin e Greqisë.
Elina Xhengo quhet, kampione në hedhje shtize për shtetin fqinj, një disiplinë që dikur shkëlqente në vendin tonë…