Prej pothuajse tre muajsh Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Por edhe pse në arrati ai ka reaguar disa herë përmes rrjetit social Facebook.
Lëvizja e fundit e SPAK, ka të bëjë pikërisht me këtë.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme i ka dërguar të dhënat e Ahmeajt kompanisë “Meta” të Mark Zuckerberg.
Kështu, SPAK pretendon se do të gjurmojë vendndodhjen e ish -numrit dy të qeverisë, përmes mekanzimit “Transparency Center” të kompanisë, duke zbuluar se nga cili vend bëhen log-imet dhe publikimet e tij në Facebook.
Gjykata e Posaçme firmosi disa muaj më parë urdhër-arrestin për ish zv -Kryeministrin.
Ish-numri dy i qeverisë Rama, akuzohet për refuzim për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, korrupsionit pasiv dhe aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, vepra penale nga të cilat mund të dënohet deri në 15 vite burg.
Avokati i Arben Ahmetajt, Henrik Ligori ka zbuluar më parë se klienti i tij ndodhet në Angli, ku po qëndron pranë familjes së tij.



