Prokuroria e Posaçme SPAK ka zgjatur hetimet për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta me 6 muaj.
Vendimi u mor të hënën e 9 qershorit.
Kjo, sa i takon dosjes së lobimit të ish-LSI, tani Partia e Lirisë në SHBA dhe aferës CEZ-DIA.
Avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani, i cili dha një deklaratë për mediat, u shpreh se do e ankimojnë vendimin e Prokurorisë dhe do e kundërshtojnë si të paligjshëm.
Ai vuri theksin tek mbajtja e paligjshme në paraburgim e Metës edhe pas më shumë se 7 muaj nga arrestimi dhe komunikimi tashmë i akuzës, duke u shprehur i befasuar nga vendimi më i fundit i organit të akuzës.
“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim. Presidentit i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë me 6 muaj, erdha dhe më dhanë vendimin sot. Problemi qëndron pse mbahet presidenti ende në paraburgim, ai nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet?”.
Ai shtoi se “ju e dini pse mbahet, çështja është politike, edhe mënyra se si u arrestua ishte politike, sikurse edhe kryetari i Bashkisë së Stambollit”.
“Presidenti Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike. Hetimet kanë nisur 6 vitet më parë. Çështja hetohet nga Tirana dhe jo SPAK, por SPAK po të donte kishte hetuar policët që rrëmbyen presidenti. Inkuizicioni që po bëhet ndaj Metës është i paprecedentë në botë. Është e pamoralshme dhe joligjore ta mbash ende në paraburgim”, tha Cakrani.
Objekti i hetimit në fjalë janë pagesat e kryera në vlerën 300 mijë dollarë për vizitën e Ilir Metës e Petrit Vasilit në inaugurimin e Donald Trump si president ne vitin 2017.
Pagesat përfshinin tarifën mujore fikse prej 30 mijë dollarësh për kompaninë amerikane si dhe rimbursim të shpenzimeve, që kjo e fundit ka bërë gjatë përfaqësimit të interesave të liderëve të LSI-së pranë kongresit të SHBA-ve dhe administratës amerikane, shkruante BIRN.
Shumat e paguara për GSIS-së i kishin siguruar liderëve të LSI-së takime të nivelit të lartë në Washington.
GSIS është një kompani konsulence me qendër në Washington D.C., e cila përfshin në mes të partnerëve të saj ish zyrtarë të lartë amerikanë si ish-kreu i Shërbimit Sekret Mark Sullivan dhe ish-ish-kreu i Departamentit të Doganave dhe Kufirit, David Aguilar.
Ajo është një nga dy kompanitë lobuese të angazhuara në Washington nga LSI gjatë asaj periudhe.
Përveç kontratës me GSIS, LSI-ja kishte kontraktuar në janar të vitit 2017 edhe kompaninë e lobimit McKeon Group, për t’i siguruar liderit të saj, Ilir Meta një ftesë në inaugurimin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, vijon BIRN në artikullin e saj.
Kompania amerikane ka siguruar një sërë takimesh për liderin e LSI-së, Ilir Meta dhe ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti në SHBA.
Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë tregojnë që GSIS e ka asistuar Metën gjatë vizitës së tij nga 11 deri në 16 maj në Ëashington, si dhe gjatë një vizite të dytë në periudhën 6-8 qershor.
Gjithashtu, kompania lobuese amerikane ka siguruar takime në SHBA për Panaritin në datat 12-13 korrik 2016.
GSIS i ka mundësuar kryetarit të LSI-së takime me anëtarë të Kongresit në SHBA, takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit.
Pas gushtit 2016, puna e GSIS është përqendruar në kontakte me zyrtarëve të administratës amerikane në lidhje me një marrëveshje dypalëshe midis SHBA-ve dhe Shqipërisë për kriptimin e të dhënave që transmetohen në internet e njohur si “SRTP.”
Në lidhje me këtë marrëveshje, GSIS ka pasur kontakte të vazhdueshme me Departamentin e “Homeland Security” si dhe ambasadën në Tiranë.
Asistenca e kompanisë amerikane ndaj LSI-së ka vazhuar dhe në fillim të 2017, gjatë vizitës së liderit të LSI-së Meta në Washington me rastin e inagurimit të ish-presidentit Donald Trump.
Nga janari 2016 deri me 31 janar 2017, LSI i kishte paguar GSIS-së 297 mijë e 804 dollarë në total në formë tarife mujore dhe rimbursim të shpenzimeve të kompanisë amerikane.
Nga kjo shifër, 267 mijë e 804 dollarë i përkasin vitit 2016, ndërsa një pagesë prej 30 mijë dollarë është bërë në 18 janar 2017.
Në raportin e saj vjetor financiar të dorëzuar në KQZ, LSI do të raportonte shpenzime për konsulencë në vlerën 11.7 milionë lekëve (91 mijë dollarë) – gati tre herë më pak se shpenzimet reale që ajo ka pasur.