12.5 C
Tirana
E martë, 10 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Stafi akuzon shefin e famshëm shqiptar të kuzhinës: Njeri i dhunshëm

    Këto janë rrëfime të vështira për t’u lexuar. Një artikull i botuar në “New York Times” nxjerr në pah frikën që dyshohet se mbretëroi për vite me radhë rreth shefit të kuzhinës me origjinë shqiptare René Rexhepi. Ai është i njohur botërisht për themelimin e restorantit “Noma” në Kopenhagen, i cili renditet rregullisht ndër më të mirët në botë.

    Sipas një investigimi të gazetës së përditshme amerikane, disa ish-pjesëtarë të stafit të tij përshkruajnë një mjedis pune jashtëzakonisht të vështirë, të karakterizuar nga një presion i vazhdueshëm, poshtërim dhe dhunë fizike të shpeshtë. Disa tregojnë se janë fyer ose nënçmuar para kolegëve të tyre. Të tjerë përmendin se janë goditur me grushte në stomak, në fytyrë ose janë hedhur objekte mbi ta gjatë ndërrimeve veçanërisht të tensionuara.

    Këto rrëfime japin një pamje të një kuzhine ku frika është përdorur prej kohësh si forcë shtytëse për të arritur përsosmërinë. Disa punonjës shpjegojnë se ata vazhduan të punonin pavarësisht kësaj klime, të vetëdijshëm për prestigjin që shoqëronte një përvojë në Noma, e konsideruar si një nga restorantet më me ndikim në gastronominë bashkëkohore.

    Këto zbulime vijnë teksa restoranti ka mbyllur dyert e tij në Kopenhagen në fund të vitit 2024, një vendim që megjithatë nuk lidhet me këto akuza. Por aktivitetet e shefit të kuzhinës kanë ringjallur interesin e shtypit amerikan pasi një restorant i vogël “Noma” do të hapet në Los Angeles për një seri darkash shumë ekskluzive duke filluar nga 11 marsi.
    Çmimi i shpallur, rreth 1,500 dollarë për person ka shkaktuar tashmë një debat të rëndësishëm publik dhe ka ringjallur pyetje rreth sjelljes së René Rexhepit në të kaluarën.

    “Ai i shponte me pirun për barbeque”

    E gjitha filloi me dëshminë e Jason Ignacio White, ish-drejtuesit të sektorit të fermentimit të Noma-s, e publikuar në Instagram në fillim të shkurtit dhe e cila u bë virale . “Noma nuk është një histori inovacioni. Është historia e një maniaku që krijoi një kulturë frike, abuzimi dhe shfrytëzimi”, – shkroi ai, duke akuzuar shefin për dhunë të përsëritur ndaj punonjësve të tij.

    Mesazhi i tij shoqërohej nga disa “screenshot” të dëshmive që dyshohet se i ishin dërguar nga shumë ish-anëtarë të ekipit. “Ai nuk mund të godiste njerëz gjatë shërbimit, kështu që i shponte nën tavolinë me një pirun që përdorej për skarën”, rrëfeu njëri prej tyre në këto mesazhe të shpërndara në mediat sociale.

    Një shef kuzhine australian që punonte te “Noma” në vitin 2012 i tha gjithashtu “New York Times” se ndëshkimi i të gjithë stafit për gabimin e një personi ishte një praktikë e zakonshme e René Rexhepit. “Ai kaloi para secilit prej nesh dhe na goditi me grusht në gjoks”, – ndërsa na ofendonte me të madhe, shpjegoi shefi i kuzhinës, i cili kërkoi të mbetej anonim.

    René Redzepi pranoi se kishte qenë “një përbindësh”

    Ish-punonjësit ankohen tashmë se shefi i njohur i kuzhinës vazhdon të përfitojë nga fama dhe prestigji i lidhur me Noma-n, pavarësisht këtyre praktikave. Në një ese të botuar në vitin 2015, René Redzepi pranoi se ishte një “përbindësh” që keqtrajtonte dhe frikësonte vartësit e tij.

    Ndërsa në një intervistë të vitit 2022 për “The Times of London”, ai shprehu gjithashtu keqardhje për të kaluarën e tij, duke deklaruar se “nuk kishte goditur kurrë askënd”, por “ndoshta kishte shtyrë njerëz” .

    Të premten, ai i tha New York Times: “Teksa nuk i njoh të gjitha detajet e këtyre rrëfimeve, shoh mjaftueshëm ngjashmëri me sjelljen time të kaluar për të kuptuar se veprimet e mia dëmtuan kolegët e mi. Të gjithë atyre që kanë vuajtur nga lidershipi im, gabimet e mia në gjykim ose zemërimi im, u ofroj ndjesën time më të sinqertë dhe jam i përkushtuar për të ndryshuar.”

    Ai deklaroi se kishte ndaluar së menaxhuari operacionet e përditshme të departamentit disa vite më parë, i ishte nënshtruar terapisë dhe kishte “gjetur mënyra më të mira për të menaxhuar zemërimin e tij”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit