7.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Stereotipet gjinore si nxitëse të dhunës ndaj vajzave dhe grave

    Nga Xhesika Troshku

    Rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave janë kthyer në lajm të përditshëm në masmedia. Shpesh reagimi shoqëror vjen vetëm kur këto raste përfundojnë në tragjedi. Vetëm atëherë flasim, zemërohemi dhe kërkojmë përgjegjësi. Por dhuna nuk fillon në momentin e fundit, ajo ndërtohet me vite, përmes mendësive, stereotipeve dhe roleve të pranuara si “normale”.

    Shumë vajza dhe gra nuk e kanë të vështirë të informohen apo të denoncojnë dhunën. Ajo që i ndalon më së shumti është frika nga paragjykimi, mungesa e mbështetjes dhe normalizimi i dhunës në familje dhe në shoqëri. Ende sot, në shumë raste, viktima shihet si përgjegjëse për atë që i ndodh, ndërsa dhunuesi justifikohet.

    Një nga format më të forta të kësaj mendësie është mënyra si trajtohen vajzat brenda familjes. Në shumë raste, pas martesës ato nuk konsiderohen më pjesë e familjes bërthamë, duke mbetur pa mbështetje pikërisht në momentet kur kanë më shumë nevojë. Kjo ndjenjë braktisjeje e bën edhe më të vështirë largimin nga marrëdhëniet e dhunshme.

    Shqetësuese mbetet edhe fakti se shumë vajza dhe gra kanë humbur jetën edhe pse kishin urdhër mbrojtjeje. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm ligjor, por thellësisht shoqëror dhe kulturor.

    Gjatë zbatimit të projektit “Gratë dhe vajzat, forca dhe zëri i komunitetit përmes tejkalimit të pabarazive gjinore”, nga United Rights Foundation, i mbështetur nga Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, u bë e qartë se edukimi i hershëm është një nga faktorët kyç për parandalimin e dhunës. Nuk mjafton të reagojmë pasojat, duhet të ndërhyjmë te shkaqet.

    Vajzat shpesh rriten me idenë se duhet të durojnë, të falin dhe të heshtin, edhe kur përjetojnë dhunë. Ndërkohë, djemtë edukohen të jenë “të fortë”, të mos shprehin emocione dhe të ushtrojnë autoritet. Këto modele krijojnë pabarazi, mungesë empatie dhe, në shumë raste, sjellje të dhunshme.

    Stereotipet gjinore nuk janë thjesht bindje kulturore, por mekanizma që justifikojnë dhe normalizojnë dhunën. Ato prodhojnë gra që mësohen të pranojnë padrejtësinë dhe burra që mësohen të dominojnë.

    Një rol të rëndësishëm kanë edhe institucionet arsimore. Shkollat duhet të trajtojnë më seriozisht çështjet e roleve gjinore, barazisë dhe respektit reciprok. Djemtë duhet të inkurajohen të jenë pjesë aktive e promovimit të respektit ndaj vajzave dhe grave, jo vetëm në kuadër projektesh, por si pjesë e edukimit të përditshëm.

    Megjithatë, baza e çdo ndryshimi mbetet familja. Prindërit duhet të kuptojnë se mënyra si rrisin fëmijët e tyre ndikon drejtpërdrejt në shoqërinë e së nesërmes. Të qenit djalë apo burrë nuk jep asnjë të drejtë për të ushtruar dhunë apo për të mos respektuar një vajzë apo grua.

    Edhe rrjetet sociale shpesh kontribuojnë në përforcimin e roleve të gabuara, duke paraqitur gratë si të nënshtruara ose vetëm në funksion të të tjerëve, pa hapësirë për zërin dhe individualitetin e tyre.

    Mbështetja për vajzat dhe gratë duhet të jetë konkrete dhe e vazhdueshme, por pa neglizhuar edukimin e djemve për respekt dhe barazi. Sepse nuk mund të kërkojmë që vajzat dhe gratë të “luftojnë” për jetën e tyre, ndërkohë që shoqëria vazhdon të heshtë dhe të justifikojë dhunën.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit