I ftuar në emisionin “Jo Veç Kullera” nga Andale Media, Stine, emri i vërtetë i të cilit është Ernest Duka, foli hapur për eksperiencën e tij te “Kënga Magjike”.
Si pjesëmarrës i shpeshtë në këtë festival, por me një rikthim në edicionin e fundit pas 7 vitesh mungesë, ai u pyet nëse mendonte se fitoret gjatë viteve kanë qenë të merituara ose jo në konkurs.
“Mendoj se pjesa më e madhe është e pamerituar,” tha Stine pa hezitim.
“Çfarë ka shkuar gabim, nuk kam mbetur unë që ta gjej. Mendimi im është shumë i thellë, vazhdojmë tani dhe mbarojmë pasnesër,” vazhdoi ai pa sqaruar më tej arsyet për mendimin e tij.
Kur u diskutua për Festivalin e Këngës, ku Stine mori pjesë për herë të parë në edicionin e 63-të, ai nuk kurseu një kritikë për arsyen pse artistët mbeten të pakënaqur nga ajo eksperiencë:
“Këtu merr përgjigjen pse muzika ka ardhur deri këtu,” tha ai duke nënkuptuar se pakënaqësitë vijnë sepse artistët po drejtohen sa vjen e më shumë drejt komercialitetit.