Një studente 19-vjeçare ka treguar se si mund të ushqehemi për një muaj me vetëm 5 paund britanikë duke përdorur mbetjet e ushqimit të të tjerëve.
Kjo u arrit falë një aplikacioni të quajtur OLIO ku njerëzit nxjerrin ushqimet që nuk i përdorin më dhe duan t’i dhurojnë.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “Independent”.
Duke qenë se studentja pas fillimit të universitetit kishte pasur një buxhet të vogël ajo ka filluar të kërkojë mënyra se si të kursejë para dhe mesa duket ia ka dalë.
“Kam arritur t’i ul blerjet e mia deri në 5 paund në muaj. Tani blej vetëm gjërat që nuk shfaqen aq shumë në aplikacion, si vezë, kos apo ketchup” thotë studentja për “Independent“.
Duke shpjeguar se si funksionon aplikacioni, ajo tha: “Thjesht regjistrohuni dhe artikujt ushqimorë dhe jo ushqimorë do të renditen pranë jush”.
Përveç ushqimeve ajo thotë se ka marrë edhe sende të tjera shtëpiake dhe veshje në gjendje shumë të mirë.
Nëse shihni diçka që ju pëlqen, thjesht i dërgoni një mesazh personit që e ofron atë në aplikacion duke thënë: “A mund ta kem këtë të lutem?” dhe më pas ju japin një datë dhe orë për të marrë artikujt.
“Më pas kaloj me biçikletë në shtëpinë e tyre dhe mbledh sendet. U them faleminderit, dhe kaq. Është kaq e thjeshtë”, thotë ajo.
Studentja gjithashtu shprehet se ushqehet shumë më mirë se shumica e studentëve të tjerë.