17.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    STUDIMI: Një herë në sa vjet mund të godasë një tërmet mbi 7 ballë Shqipërinë dhe cilat janë tetë zonat shqiptare, burime sizmike

    Në vitin 2013 katër sizmologë të njohur në vend, Prof. Dr. Eduard Sulstarova, Prof. Dr. Shyqyri Aliaj, Prof. Dr. Siasi Koçiu dhe Prof. Dr. Betim Muço, i ofruan qeverisë një hartë të re sizmike që shoqëronin botimin e tyre të përbashkët “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri”.

    Kur e prezantuan këtë studim para mediave ata i bënë thirrje qeverisë që t’i bënte hartat e reja si kusht normativ për të gjitha ndërtimet. Hartat e reja duhet të zëvendësonin hartën sizmike të viteve ’80 që sot e kësaj dite është ende në fuqi.

    DITA publikoi asokohe detaje të studimit. Profesorët paralajmëruan se brenda një 10-vjeçari, Shqipëria mund të goditej nga tërmete të fuqishëm. Paralajmërimi nuk u mor parasysh. Dihet çfarë niveli klase politike ka vendi.

    6 vjet para parlajmërimit, në 2019, Shqipëria u godit nga dy tërmetet më të fuqishme të 40 viteve të fundit. Shumë godina ranë. Të tjera janë dobësuar, presin goditjen e radhës dhe viktimat e radhës.

    “Pretendojmë dhe kërkojmë nga qeveria që këto harta të futen, si kusht normativ për të gjitha ndërtimet antisizmike që bëhen në Shqipëri dhe të zëvendësojnë hartën sizmike të vendit e viteve ’80, që është edhe sot në fuqi”, – tha profesor Sulstarova në një prononcim në DITA, në vitin 2013.

    Disa projektues pohojnë se hartat e reja të krijuara nga katër profesorët, përdoren sot si udhëzues nga disa ndërtues të veçantë, por ato nuk janë të detyrueshme për të gjithë, për shkak se ligji ende nuk i njeh si të tilla. Helbete, analfabetët e Parlamentit dinë më shumë se profesorët e sizmologjisë.

    Po cili është cikli i përsëritjes së një tërmeti të fortë në Shqipëri?

    Katër akademikët në botimin e tyre kanë veçuar se në territorin e Shqipërisë, me probabilitet 80 përqind, mund të ndodhë “çdo 30-40 vjet tërmet Ms=7.1” Në studim autorët kanë hartuar 12 harta të rrezikut sizmik probabilitar të Shqipërisë, vlerat e rrezikut sizmik për 370 bashki e komuna, si edhe vlerat e plota spektrale për 36 qytete.

    Rezultatet e këtij vlerësimi probabilitar të rrezikut sizmik duhet të shërbejnë si bazë për kodin e ri të ndërtimeve antisizmike në vend, duke zëvendësuar Hartën e Rajonizimit Sizmik të Republikës së Shqipërisë në shkallën 1:500.000, miratuar nga Këshilli i Ministrave në dhjetor 1979, e cila është ende në fuqi.

    8 zonat e burimeve sizmike sipas studimit të 4 akademikëve, botuar nga DITA:

    – Zona Lezhë-Ulqin me M max=7.0

    – Ultësira Pranë – Adriatike me M max=6.9

    – Bregdeti Jonian me M max=7.0

    – Korçë – Ohër me M max=6.9

    – Elbasan – Dibër – Tetovë me M max=6.9

    – Kukës – Peshkopi me M max=6.5

    – Shkodër – Tropojë me M max=6.5

    – Pejë – Prizren me M max=6.8

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit