23.5 C
Tirana
E premte, 20 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Studimi: Si netët pa gjumë na bëjnë më egoistë dhe josocialë

    Sipas hulumtimeve, netët pa gjumë na bëjnë më egoistë dhe josocialë. Studimi, i kryer nga studiues në SHBA, zbuloi se humbja e vetëm një ore pushimi mund të ndikojë te dëshira e njerëzve për të ndihmuar të tjerët, madje edhe të afërmit dhe miqtë e ngushtë.

    Ekipi vuri në dukje se një natë e keqe dukej se dobësonte aktivitetin në pjesën e trurit që inkurajonte sjelljen sociale.

    “Zbuluam se humbja e gjumit vepron si një shkas i sjelljes josociale, duke reduktuar dëshirën e lindur të njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin,” tha Prof. Matthew Walker, bashkëautor i studimit në University of California, Berkeley. “Në një farë mënyre, sa më pak të flini, aq më pak social dhe më egoist bëheni.”

    Ekipi shkroi në revistën Plos Biology se një mungesë kronike e gjumit mund të dëmtojë lidhjet sociale dhe të ndikojë për keq te instinktet altruiste që formojnë shoqërinë.

    Në një eksperiment që përfshinte 24 pjesëmarrës, studiuesit krahasuan përgjigjet nga i njëjti person pas një nate të qetë dhe pas 24 orësh pa gjumë referuar disa skenareve imagjinarë në lidhje me ndihmën e dhënë ndaj të tjerëve. Rezultatet zbuluan një rënie prej 78% në dëshirën e vetë-raportuar për të ndihmuar të tjerët kur janë të lodhur.

    “Mungesa e gjumit dëmtoi dëshirën për të ndihmuar të tjerët, pavarësisht nëse u kërkohej të ndihmonin të huajt apo të afërmit e ngushtë. Kjo do të thotë, humbja e gjumit shkakton sjellje josociale, anti-ndihmuese me një ndikim të gjerë dhe pa dallim,” tha Walker.

    Prof. Russell Foster, drejtor i institutit Sleep and Circadian Neuroscience në Universitetin e Oksfordit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha: “Ky është studimi i parë që tregon pa mëdyshje se humbja e gjumit mund të zvogëlojë tendencën e individëve për të ndihmuar njëri-tjetrin.”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit