Që prej publikimit të emrit të tij si ministër i Mbrojtjes, ndaj Ermal Nufit kanë nisur disa sulme qesharake.
Jo se është i paaftë apo i korruptuar.
Por se është besimtar i krishterë dhe shkon në kishë.
Madje Syri kishte arritur deri aty, sa e sulmonte pse ka pas kënduar në kishën e Paulin Vilajetit, meqë ky është mbështetës i Ramës.
A thua se është krim të këndosh.
“Emërimi i Ermal Nufit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ka rikthyer në vëmendje lidhjet e tij me kishën e drejtuar nga pastori Paulin Vilajeti, i cili më herët ka bërë deklarata publike në mbështetje të kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë televizive, pastori Vilajeti është shprehur se personi që ka më shumë nevojë për lutje është pikërisht kreu i qeverisë”, shkruan Syri.
“Unë mendoj personalisht që njeriu që ka më shumë nevojë për lutje gjithmonë është kryeministri i vendit. Nuk mund ta imagjinoni dot se në çfarë presioni ndodhet kryeministri i një vendi. Janë presione të brendshme dhe të jashtme, të cilat shumë herë, duke i mbajtur mbi vete, mund ta rrëzojnë. Dhe ne nuk mund të kemi një kryeministër të rrëzuar, sepse një kryeministër i rrëzuar mund të marrë një vendim fatal për vendin”, është shprehur pastori Vilajeti, në shkrimin e publikuar nga Syri.
Tani për lutjet e Paulin Vilajetit për Ramën, e cila është një lutje normale, është një temë tjetër, por kur nuk ke dije fetare, shkruan marrëzira, pasi në Bibël thuhet që besimtarët duhet të luten për udhëheqësit, qofshin këta të këqinj.
Por të vijmë te sulmet ndaj Nufit.
“Ndërkohë, në pamje të publikuara në rrjet, ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes, Ermal Nufi, shfaqet duke shërbyer në kishën e drejtuar nga Vilajeti”, shkruan Syri, që ka nxjerrë videon “inkriminuese” për Nufin, duke kënduar në kishë.
Tani veç një media idiote, mund të sulmojë dikë pse shkon në kishë dhe këndon!




