Vizitat në burgje të vajzave të shoubizit shqiptar dhe botës së medias, për gazetarin Andi Vrapi nuk përbëjnë një lajm të ri.
Gazetari tha se në Shqipëri drejtësia duke bërë veshin e shurdhër është pranuar si normalitet. Sipas tij kjo është e dukshme, pasi njerëz që nuk punojnë bëjnë jetë luksi.
“Ky nuk është informacion i ri qoftë për publikun, qoftë për mediat që personazhe të botës së krimit dhe shoubizit dhe në Shqipëri. Kjo është e dukshme.
Shohim njerëz që nuk punojnë dhe bëjnë jetë luksi. Është informacion që dihej, thjesht që drejtësia duke bërë veshin e shurdhër është pranuar si normalitet sa kur drejtësia filloi të bënte punën, ne u habitëm”, tha ai.
Gazetari theksoi se drejtësia i ka emra, por ka vendosur të publikojë vetëm inicialet duke ngritur spekulimet tek njerëzit.
“Sa kohë ka vendosur që drejtësia t’i publikojë me iniciale për njerëzit mbetet spekulim. Drejtësia i ka emrat. Institucionet e drejtësisë hedhin shashkën dhe secili shpërndan informacion të rremë për të anashkaluar. Të vjen keq se një publik po manipulohet e mashtrohet”, tha ai.
Rasti i Leart Haxhiut, por edhe dyshimet se modele të tjera mund të jenë futur në takime speciale, në shkelje të protokolleve dhe sigurisë në burgje, bëri që në korrik të këtij vitit të kryhet verifikimi në disa institucione.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nisi një verifikim të brendshëm në të gjitha burgjet e vendit në lidhje me zbatimin e rregullave për takimet speciale.