Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, përdori sloganin e famshëm propagandistik të kohës së komunizmit për të nënkuptuar nevojën e shkëputjes së Partisë Demokratike në opozitë nga interesat e ish-kryeministrit Sali Berisha, shpallur i padëshirueshëm për “korrupsion madhor” nga Departamenti i Shtetit.
“Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, deklaronte Yuri Kim.
Ajo u sulmua ashpër më pas, dhe pas riardhjes së Donald Trump në pushtet, PD u shfaq revanshiste ndaj Kim, duke i kujtuar pikërisht barin.
Nga televizioni i familjes Berisha, deklarohej përdite se ajo që po ha bar, është pikërisht Yuri Kim.
Por tani që po qartësohet rezultati i zgjedhjeve, shprehja e Yuri Kim rikthehet më aktuale se kurrë.
Dekada më parë, regjimi komunist në Shqipëri i mësoi shqiptarëve se ata duhej të ishin gati të hanin edhe thjesht bar me qëllim që Partia e Punës të ruante pushtetin e saj.
Shprehja ishte: “Populli shqiptar han bar dhe dorën nuk ia shtrin armikut”!
Tani, me sa duket demokratët janë gati të hanë dhe bar, veç Berisha të qendrojë në krye të tyre.