Këngëtari i dashur për publikun, Endri Prifti, ka folur si rrallëherë për kapitullin më të ndërlikuar dhe më të ndjeshëm të jetës së tij: largësinë nga djemtë dhe mallin që i ka djegur shpirtin ndër vite.
Në një rrëfim të hapur në “Goca dhe Gra”, artisti tregoi se vetëm katër muaj më parë është ribashkuar me djalin e vogël, të cilin nuk e kishte takuar për tre vite të tëra — një periudhë që, siç thotë vetë, i la një boshllëk të madh në zemër.
Me emocion të fortë, Endri u shpreh:
“Kam 2 djem. Tani e takova edhe djalin e vogël, para katër muajsh pas tre vitesh. Më erdhi vetëm, më tha ‘më ka marrë malli’. Më iku truri fare… Nuk ka gjë më të bukur se të jesh afër fëmijëve. Kur nuk e shikoja djalin e vogël, më dukej vetja bosh.”
Ai pranoi se distanca dhe mungesa e takimeve e kanë rënduar shumë psikologjikisht dhe se shpesh ka kërkuar të mbushë boshllëkun me gotën e rakisë, me humorin për t’i bërë ballë dhimbjes:
“Nga mungesa edhe abuzonim një çikë… nga një gotë tani do e pimë ne. Një gotë raki ngordh mikrobet.”
Në bisedë, këngëtari foli edhe për marrëdhënien me babain e tij, një tjetër histori e mbushur me distancë, mungesë dhe vite të humbura. Me qetësi dhe pranim, Endri tregoi se për një kohë shumë të gjatë nuk e ka parë fare të atin — madje edhe kur shkëmbeheshin në rrugë, nuk flisnin.
Por pavarësisht gjithçkaje, ai zgjodhi faljen:
“Unë fal çdo njeri në jetë. Jeta kështu ishte atëherë… komunizëm. Babin nuk e kam parë asnjëherë, vetëm në rrugë. Kur kaluan shumë vite, u takuam në një dasmë. Do donim ta takonim më herët, por kaluan vite dhe ai s’kishte më forcë të na afrohej… Të falur janë të gjithë.”



