9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të gjithë vdesin një ditë Lorenc Vangjeli!

    Nga Ermal Peci

    Në fakt kam kohë që emisionet në prime time në televizionet shqiptare nuk i ndjek, jo vetëm që për arsye se merrem vetë me aktualitetin në DritareTV, por edhe gjatë ditës mjafton të shikosh Shqipëria Live me Sidorela Gjonin apo edhe Breaking me Xhoi Malësinë dhe e merr informacionin e nevojshëm për zhvillimet politike, ekonomike, drejtësinë apo edhe temat sociale.

    Graviteti i prime time në Shqipëri dihet që është Fevziu, kjo nuk diskutohet, mund të mos ta kesh qejf mund të mos ta pëlqesh, por ai është gazetari, i cili ka mbijetuar në këto 33 vite tregut, i është përshtatur, por ka sjellë edhe risi.

    Një video që është bërë virale dje, tregonte në Opinion Lorenc Vangjeli në një pozitë shumë të vështirë, gati-gati të pambrojtshme. Kërkoi që nëpërmjet lojërave të fjalës apo lëmit të fjalës të zbuste atë skandal që ka përfshirë Onkologjikun. Nuk dua të analizoj a është i blerë apo i shitur Lorenc Vangjeli, a që ka zgjedhur të mbrojë të pambrojtshmen për shkak të interesave personale apo çfarë përfaqëson Vangjeli larg syrit të medias.

    Dua të merrem vetëm me fjalën. Vangjeli e di mjaft mirë  që ajo temë është shumë e dhimbshme, por të thuash që flasim për njerëz që i ka dënuar perëndia me vdekje është gati-gati jo njerëzore. Në fakt në Shqipërinë mediatike janë disa njerëz, të cilët i gënjen mendja se janë të zotët për të luajtur me fjalën edhe për të treguar një nivel të lartë inteligjence, disa përdorin sofizma, disa përdorin epitete edhe disa sarkazëm politike, por secili prej tyre vështirë ta gjesh si origjinal, por thjesht disa kopje, të cilat ashtu siç promovohen ashtu edhe ikin.

    Për të folur me fjalë të thjeshta në fakt Vangjeli e di që jeta është një cikël ku lind dhe vdes e më pas i lë vetes një emër si për mirë apo për keq që trashëgohet ndër breza. Prandaj dje Lorenc Vangjeli nuk duhet të vishte këpucë që nuk i bënin dhe të fliste se çfarë ndjen  një njeri, i cili vuan nga një sëmundje, e të fliste për hallet e tyre se çfarë përjetojnë ata sepse realisht ai dhe shumë të tjerë nuk dinë asgjë për luftën që bën një njeri me vdekjen edhe se sa fort ai dëshiron jetën, sekondën apo minutën që merr frymë dhe që qëndron pranë familjes së tij.

    Vangjeli, dje nuk kishte nevojë të vishte as këpucët e Ministrisë së Shëndetësisë , se jo vetëm që janë me takë, por duket sikur ka dopio takë sepse ky skandal lidhet që me kohën e Manasterliut e cila sot drejton qarkun e Tiranës. Si, gazetar nuk mund të flasë për çdo temë të mundshme nga fati i Ramës deri tek mbarështimi artificial sepse pastaj na jep dyshimin që Vangjeli vuan nga ambiguiteti social që mendon se di gjithçka.

    Dje, Lorenc Vangjeli duhet të ngrinte zërin se si brenda Onkologjikut ishte krijuar një mafie e cila vidhte, tallej dhe përçmonte jetën e njerëzve. Duhet të ngrinte zërin për padrejtësitë dhe që politika jonë të marrë një fytyrë njerëzore e mos të e pamëshirshme me qytetarët saj. Këtë duhet të thoshte dje Lorenc Vangjeli e asgjë më shumë. Prandaj, sot ai duhet të kërkojë falje për deklaratën e tij skandaloze në Opinion.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit