12.5 C
Tirana
E enjte, 31 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të mos e çnderojmë Ismail Qemalin!

    Nga Fatos Tarifa

    Më dhemb në shpirt sa herë shoh se s’i e trajtojmë themeluesin e shtetit tonë kombëtar. Një shtatore në përmasa të padenja për njërin ndër njerëzit më të shquar të kombit shqiptar, Ismail Qemalit, me emrin e të cilit lidhim pavarësinë e Shqipërisë, është venë prej vitesh në një lulishte të keqmbajtur, buzë njërit prej trotuareve të bulevardit të madh, disa metra larg zyrave të parlamentit të Shqipërisë, në një distancë nga mund të shihet me sy prej zyrës së kryeministrit të vendit në anën tjetër të bulevardit.

    Dhe askujt duket se nuk i bën përshtypje. Askush nuk do t’ia dijë.

    Vetë kjo shtatore, artistikisht është një punë jo e dobët, por në ato përmasa, e vendosur në atë vend, mbi një bazament sa një arkë zarzavatesh dhe mbi një platformë betoni të thyer, që e lidh me trotuarin, por e ndan nga historia, të krijon ndjesinë e një shijeje vulgare, pafundësisht të shëmtuar dhe të një nënçmimi institucional kolosal për këtë figurë të madhe historike të kombit tonë.

    Fati i Ismail Qemalit në kujtesën tonë kolektive dhe në ndërgjegjen tonë politike si komb, si dhe në urbanistikën e kryeqytetit të Shqipërisë, nuk duhej në asnjë mënyrë të ishte një shtatore si kjo, më e vogël edhe se ajo e Azem Hajdarit, dhe e vendosur pa asnjë logjikë, pa asnjë imagjinatë dhe pa asnjë kujdes në një mënyrë dhe në një vend krejt të papërshtatshëm.

    Ata që kanë urdhëruar vendosjen e kësaj shtatoreje kaq të vogël të një shqiptari kaq të madh në atë vend duket sikur kanë dashur që ajo të ishte e padukshme për sytë e kalimtarëve.

    Një mikut tim amerikan, që ia zunë sytë dhe më pyeti se e kujt ishte ajo shtatore, me një ndjenjë të thellë turpi i thashë se ishte e themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar. Nuk mund t’ia fshihja këtë fakt. U tregua i sjellshëm dhe nuk tha gjë, por nuk qe e vështirë ta vija re habinë e tij.

    Kudo në botë, monumentet e figurave të shquara historike ngrihen dhe vendosen në sheshe dhe parqe publike për t’i kujtuar dhe për t’i nderuar ata, jo për t’i çnderuar, për t’u thënë brezave të rinj se idealet, veprimtaria apo heroizmi i tyre i kanë kontribuar lirisë dhe zhvillimit të vendit të tyre. Monumentet mund e duhet t’i shërbejnë njohjes së historisë kombëtare dhe mësimeve që mund të marrim prej saj në dobi të së sotmes dhe të së ardhmes sonë si shoqëri dhe si komb.

    Kjo shtatore e Ismail Qemalit — kjo që është, ashtu siç është, në atë gjendje që ështe dhe aty ku është — nuk u shërben qëllimeve të mësipërme.

    Tirana ka shumë sheshe dhe parqe ku banorët e kryeqytetit dhe shqiptarët e të gjitha krahinave dhe trojeve shqiptare do të donin ta shihnin Ismail Qemalin në një shtatore madhështore, siç janë madhështore figura dhe vepra e tij.

    Përmasat e shtatores së tij dhe vendi ku do të duhej ta shihnim atë në kryeqytetin e Shqipërisë do të duhej t’u përgjigjeshin përmasave të figurës sē tij dhe vendit e rolit të tij në historinë tonë kombëtare.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit