34.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Të parët nga fundi… – “Fitoret” e padëshiruara të Shqipërisë

    Në një kontinent që mat progresin me statistika, renditjet duket se janë bërë pasioni ynë i ri kombëtar. Jo për të parë veten në krye — ky është luks për vendet që prodhojnë teknologji, eksportojnë dije apo garantojnë jetesë cilësore për qytetarët e tyre — por për të fituar trofeun e artë të vendeve që përmenden gjithmonë në fund të listës.

    Po të kishte ndonjë kampionat për vendet që performojnë keq me stil, Shqipëria do të ishte në podium.

    Le të fillojmë me ushqimet. Sipas të dhënave të Eurostat, për herë të parë në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Europë.

    Po, më të shtrenjta se në Greqi, në Kroaci apo në Poloni, vende që jo vetëm kanë paga më të larta, por edhe sektorë bujqësorë të organizuar e të subvencionuar nga politika të qëndrueshme.

    Ndërsa te ne, domatja i vjen konsumatorit me çmimin e një ore pune – nëse ka punë – dhe ushqimi po shndërrohet nga nevojë bazë në mall luksi.

    Kalojmë te të ardhurat. Po sipas Eurostat-it, Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhura për frymë, edhe në vitin 2024.

    Kjo është një renditje që duket se nuk na shqetëson më. Jo për mungesë dëshire, por sepse jemi mësuar ta relativizojmë varfërinë me fjalinë “me rëndësi të kemi shëndet”, edhe kur kemi mjekësinë publike që nganjëherë s’ka as shiringa.

    Po për cilësinë e ujit, çfarë të themi? EEA (Agjencia Europiane për Mjedisin) na dha një tjetër medalje: Shqipëria është e fundit në Europë për cilësinë e ujërave në plazhe, me vetëm 16% të klasifikuara si “shumë të mira”.

    Dhe kjo, ndërkohë që kemi ndërtuar një mit të tërë rreth “detit të kristaltë” dhe “parajsës shqiptare” që pret me padurim turistët. Me këtë logjikë, ndoshta ujërat e ndotura do të shpallen vlerë kombëtare, që nuk duhet kritikuar, por konservuar, si pjesë e identitetit tonë të veçantë.

    Të gjitha këto renditje nuk na gjejnë të papërgatitur. Sepse, sipas shumë strategjive dhe fjalimeve, ne kemi një plan vizionar për të investuar në teknologji, inovacion dhe ekonomi të dijes.

    Por për çudi, ndërkohë që BE-ja lëviz drejt energjisë së gjelbër dhe Inteligjencës Artificiale, investimet e huaja në Shqipëri vijojnë të shkojnë në pasuri të paluajtshme: apartamente pa banorë, vila në kodra pa rrugë dhe resorte buzë detit me ujë të ndotur.

    Siç thonë zhvilluesit: “Ç’na duhet cilësia e jetës kur kemi ‘certifikatë pronësie’ dhe na rritet vlera e pronës?”

    Edhe kompanitë që po marrin statusin strategjik, në pjesën më të madhe janë ndërtuese të rezidencave të pasurive të paluajtshme, me ndonjë hotel të vogël aty në mes, që do shumë kohë të ndërtohet, apo financuese direkte të importeve, pa sjellë ndonjë vlerë të shtuar apo njohuri në ekonomi.

    Ironia më e madhe qëndron pikërisht këtu: Shqipëria aspiron integrimin në Bashkimin Europian, por po lëviz me ritme konvergjence që na bëjnë të parët nga fundi.

    Jemi të parët për largimin e të rinjve, të parët për çmimet që nuk i justifikon as paga, të fundit për mbrojtjen mjedisore dhe cilësinë e shërbimeve.

    Nëse vazhdojmë me këtë filozofi zhvillimi, ku matjet janë të vërteta vetëm kur na pëlqejnë dhe përgjegjësia është gjithmonë e dikujt tjetër, do të vazhdojmë të jemi kampionë.

    Të padiskutueshëm. Të parët nga fundi. Edhe në integrim.

    E thënë shkurt, poema “Anës lumenjve” e Nolit do të vijojë të recitohet dhe të shprehë aktualitetin, ndërkohë që prej kohësh duhej të shijohej thjesht si një vepër e historisë letrare.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit