11.5 C
Tirana
E enjte, 31 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të pasurit kërkojnë stilime, shtresa e mesme dasma: Si ndikohen shqiptarët nga Instagrami!

    Pas viteve 2000, kërkesa për veshje të stiluara është rritur në Shqipëri. Stilistët shqiptarë prej vitesh kanë krijuar markën e tyre, çka i ka ndihmuar që jo vetëm të shesin shtrenjtë produktet e tyre, por edhe të diversifikojnë, duke mos mbetur vetëm te veshjet.

    Tashmë në Shqipëri nuk mungon tregtimi i markave më të njohura të modës, por kërkesa për një veshje “Made in Albania” është shtuar ndjeshëm.

    Stilisti Joni Peçi pohoi për “Monitor” se është një përqindje shumë e lartë e individëve që stilojnë veshjet e tyre gjatë gjithë periudhës së vitit.

    Sipas tij, kategoritë me kërkesën më të lartë mbeten artistët, të pasurit që kërkojnë veshje të stiluara për raste festash, eventesh dhe pune, gratë me një peshë të caktuar trupore, por edhe kompanitë e mëdha që kanë shtuar investimet për imazhin e kuruar të punonjësve të tyre.

    Eventet e fundvitit, pushimet në Dubai, pjesëmarrja në jetën artistike, siç është “Kënga magjike” apo Festivali i RTSH-së janë të tjera arsye që shqiptarët zgjedhin veshje të personalizuara nga stilistët shqiptarë.

    Stilistja Lira Koça shton se krahasuar me periudhën para pandemisë, shtresa me të ardhura të mesme, siç janë mësuesit apo të punësuarit në administratë, këtë vit kanë reduktuar kërkesën për stilimin e veshjeve, ndërsa kërkesa për të pasurit nuk ka shënuar rënie.

    “Nëse para pandemisë, individët me të ardhura të mesme stilonin veshje edhe për në punë, këtë vit, kërkesa është reduktuar. Kjo kategori e shoqërisë po stilon më tepër veshje për ditëlindje dhe martesa.

    Ndërsa kërkesa nga të pasurit për veshje të stiluara vijon të mbetet e lartë në gjithë periudhën e vitit. Në prag të fundvitit ka një rritje të kërkesës për stilim veshjesh nga individë të pasur të cilët kanë zgjedhur të kalojnë festat e fundvit në Dubai.

    Për festimet në Dubai, shumë gra stilojnë deri në 10 veshje. Gjithashtu, në këtë periudhë të vitit, në Tiranë janë mbajtur disa koncerte siç janë Festivali i Këngës në RTSH, apo edhe Kënga Magjike, që ndikoi edhe më tepër te rritja e kërkesës”.

    Çmimet për stilimin e veshjeve në atelienë e znj. Lira Koça nisin nga vlera minimale prej 100 eurosh dhe variojnë 400 deri në 500 euro.

    Në atelie të tjera të veshjeve luksoze, sipas vëzhgimit të “Monitor” çmimet e fustaneve për evente gala nisnin nga 420 euro deri në 640-720 euro. Qiraja për veshjet e luksit nis nga 100 euro për 24 orë.

    Shitësit e dyqaneve të modës pohuan se, këtë vit, kërkesa është e lartë si për bërje të veshjeve luksoze, ashtu edhe për marrjen e tyre me qira. Eventet që po zhvillohen në fundvit, duke përfshirë edhe festimet me stafet e kompanive, të bllokuara prej dy vitesh për shkak të pandemisë, kanë ndikuar te shtimi i kërkesës për këto veshje.

    Trendi i kohës

    Pavarësisht se për të pasurit, stilimi i veshjeve nuk del asnjëherë nga moda dhe në Shqipëri aktiviteti i stilistëve të njohur ka marr hov zhvillimi, konsumi i shpejtë i imazhit në rrjetin social Instagram kërkon shumëllojshmëri veshjesh.

    Mjaft blogerë apo individë në Shqipëri, për shkak të leverdishmërisë ekonomike, kanë rritur kërkesën për veshje të stiluara të marra me qira.

    Stilisti Joni Peçi thotë se kjo është rryma mbizotëruese pas pandemisë për shumë shtëpi të modës jashtë, që ka nisur edhe në Shqipëri, pasi po përballen më tepër me fluks kërkesash për veshje me qira, sesa për blerjen e tyre.

    “Rreth 90% e femrave në Shqipëri kërkojnë më shumë veshje me qira sesa t’i blejnë. Klientët po na çojnë drejt stilimit të veshjeve me sharm dhe stil, por për t’u dhënë me qira dhe kjo për shkak për shkak të komercializimit të imazhit në Instagram.

    Janë të shumta femrat që nuk kërkojnë të publikojnë foto në Instagram me veshje të njëjtë. Për arsye komerciale ato zgjedhin t’i marrin me qira sesa t’i blejnë të stiluara.

    Pavarësisht se kërkesa për dhënie me qira është e lartë, konkurrenca absurde në Instagram për të qenë unik dhe për të mos përdorur veshje që dikush tjetër i ka veshur më parë, po dëmton industrinë e modës.

    Kriza e ndikuar nga shfaqja e imazhit në rrjetet sociale ka falimentuar disa shtëpi të modës jashtë. Për këto arsye, në fund të muajit janar, në një sfilatë të madhe do të prezantoj koleksionin e ri të veshjeve të modës së lartë, që do të jepet me qira, me qëllim për të përballuar trendin aktual të kërkesës”.

    Për sa i përket ndikimit të Instagram në botën e botës, stilistja Lira Koça nënvizon se shumë vajza të reja frymëzohen nga stili i blogores amerikane, Kim Kardashian, për veshjet e tyre.

    Pandemia ndryshoi rutinën e ditës në mbarë botën dhe mjaft shtëpi mode sipas Era Xhabaftit, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania ndikoi te stilistët që u përshtatën shumë shpejt me ndryshimin.

    “Çdo markë krijoi, apo i dha më tepër rëndësi pjesës sportive apo veshjeve që janë më komode. Tani shumë veshje kanë elasticitet, këpucët janë kthyer në më të rehatshme dhe sot këtë e quajmë mode.

    Pra jemi në periudhën e të qenët komod, por me shumë stil. Veshjet e mbrëmjes dhe ato luksoze do të ekzistojnë gjithmonë, sepse për takime të rëndësishme, për evente, kodi i veshjes, duhet dhe shijon kur ka seriozitet dhe luks në të. Mendoj që çelësi kryesor për t’u dukur bukur është, që të përshtatësh veshjen sipas rastit”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit