1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të pushosh me frikë

    Nga Entela Sula Prifti

    Këtë foto e shkrepa do ditë më parë në një nga plazhet e Punta Cana-s në Republikën Domenikane. Ky shtet i vogël në Karaibe i njohur për plazhet e bukura me rërë të bardhë dhe luksin që ofrojnë rezortet e hotelet ne 12 muajt e vitit, ka një mjerim therrës jashtë mureve të jetës së luksit. Teksa udhëtoja nga aeroporti në rezort apo e kundërta me një furgon të vogël, kujtesa luante ping pong me vitet kur studente më duhej të udhëtoja çdo muaj nga Tirana për në Fier. Te njëjtën pamje plot skamje e gjeje disa vite më parë fare lehtë, kur i afroheshe Rrogozhinës a Lushnjës. Një dejavu e trishtë për ne që pas shumë vitesh në emigrim ishim shkeputur nga realiteti i disa viteve më parë.

    “Varfëria paska të njëjtën fytyrë, pavarësisht ku jeton” i thash tim shoqi që vëzhgonte jashtë dritares po aq i përhumbur në kujtime sa unë.

    Kur iu afrova plazhit si çdo kush në një ambjent të ri fillova të ambjentohem me vendin. Vëzhgova me detaje turistët, çadrat, shitësit ambulant, rërën dhe në fund ujin. U afrova të shihja qartësin e ujit dhe provoja temperaturën. Mezi prisja të notoja së bashku me femijët. Por teksa hidhja sytë në horizont dallova një “kufi-ndarëse” që kishte zënë vend në oqean. Më mbetën sytë gjatë aty! Ishte hera e parë që shihja diçka të tillë.

    “Paskan vënë limit notimi për shkak të peshkaqenëve” thash me vete. Por jo! Një motorbarkë e vogël që tërhiqte me parashutë dy turistë më vërtetoi që kisha hamendësuar gabim. “Kufi-ndarësja” ishte vendosur pikërisht për të mbajtur larg bregut gjithë motorbarkat që ushtronin aktivitete të ndryshme sportive në ujë kundrejt pagesës. Sa mirë, gjetja e duhur! “Kufi-ndarësja” krijonte distancë të mjaftueshme midis pushuesve që dëshironin të notonin, dhe atyre që bënin parasailing por mbi të gjitha krijonte sigurinë për të vegjlit që kishin mbushur​ bregun.

    Fëmija që humbi jetën sot në Himarë kishte moshën e fëmijëve të mi! Nuk guxova të shihja pamjet që qarkullonin në platformat e rrjeteve sociale. Si nënë më dridhej zemra. Sikurse unë edhe familja që humbi fëmijën ishin emigrantë. Kishin punuar gjithë vitin të gjorët prindër për të gëzuar këto pushime me fëmijët. Zgjodhën t’i shpenzonin kursimet në vendin e tyre por fati tregoi që kishin bere zgjedhjen e gabuar! Çdo verë pushimet në plazhet shqiptare shoqërohen me të njëjtën ndjesi frike nga pushuesit, skafe që fluturojnë përmbi koka njerëzish. Çdo verë shënohen viktima nga të papërgjegjshëm që për snobizëm e injorancë uturijnë skafet me shpejtesi marramendëse fare pranë bregut.

    Pafuqia e ligjvënësve për t’i thënë stop marrëzisë së të papërgjegjshmëve na forcon t’i bëjmë pushimet aty ku ndihemi më të sigurt. Por kjo nuk është zgjidhje, të ndahemi për së gjalli me vendin e njerëzit për shkak të të marrëve. Po sikur këta ligjvënës a pronarë plazhesh teksa nxitojnë t’u marrin tarifën e karriges pushuesit, teksa garojnë kush e kush të uzurpoj qiellin me volumin në maksimum të tallavas, teksa rrisin frikshëm çmimet e ushqimeve që shërbejnë në restorante, le t’i krijojnë minimalisht sigurie e jetës këtyre njerëzve që kanë punuar plot sakrificë për të shijuar një javë pushimesh ne bregdet. Le të vendosin një “kufi-ndarëse” në det si kolegët e tyre domenikanas që në fund të ditës barkun bosh e kërcitjen e zorrëve nuk e kanë zëvendësuar me uturimën e motorrëve vdjekjeprurës të skafeve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit