9.5 C
Tirana
E hënë, 1 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Të urosh një popull që mezi nxjerr muajin me kostum Brioni mbi 5 mijë dollarë

    Nga Migena Aleksi

    Në foton e publikuar në Facebook-un e tij për 28 Nëntorin, Sali Berisha shfaqet me një kostum Brioni.

    Për ata që nuk e dinë një kostum i tillë kushton mbi 5 mijë dollarë. Është markë e njohur për miliarderë ose për klientë alla James Bond. Nuk është për burrat e politikës, aq më pak për ata që pretendojnë se përfaqësojnë vuajtjen dhe sakrificën e popullit.

    Kur një politikan vesh një kostum të tillë në një vend ku rroga minimale është më pak 300-400 euro, mesazhi që jep është “Unë nuk jam si ju”.

    Shqipëria është një vend ku qytetarët mezi përballojnë jetesën. Një veshje e tillë është në mos arrogancë e pastër, shenjë e shkëputjes totale nga realiteti që përjeton shumica.

    Sigurisht që veshja e shtrenjtë nuk është mëkat. Por kur vjen nga dikush që thotë se përfaqëson popullin, bëhet tregues i asaj që s’thuhet me fjalë.

    Politika nuk është sfilatë. Një lider politik nuk duhet  ti lejojë vetes të matet me kostume miliarderësh por me përgjegjësinë për të shërbyer. Nuk ka mjerim e falsitet më të madh se një politikan (aq më tepër ish- President e Kryeministër) që ka humbur lidhjen me popullin e vet.

    Thonë që në atë vend drejtësia po heton politikanët për korrupsion. Qytetarët kërkojnë me të drejtë jo vetëm hetime e dënime nga 1 apo dy vjet, por veprime për t’i kthyer popullit pasurinë e vjedhur të politikanëve.

    Ky problem nuk është vetëm te Berisha. Është një sindromë që përfshin thuajse gjithë klasën politike shqiptare  majtas e djathtas. Një vend me arsim e shëndetësi të rrënuar dhe të ardhura minimale ka politikanë që shfaqen me ora luksoze, kostume elitare dhe poza që më shumë i përkasin revistave të modës.

    Ironia shtohet kur këtë e bën në një mesazh që përkujton çlirimin! Luks i qepur mbi trupin e sakrificës kombëtare!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit