Të tjera detaje dalin nga vrasja e ndodhur këtë pasdite në Kalanë e Beratit, ku mbeti i vrarë Keli Hoxha, 42 vjeç.
Shkak dyshohet se është bërë një kalë që mbante autori Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63 vjeç.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se sherri mes dy burrave ka nisur për shkak të një kali, me të cilin autori ofronte xhiro për turistët në zonën e kalasë.
Debati ka degjeneruar në përplasje fizike, që më pas ka përfunduar në tragjedi.
Autori, i cili ka precedentë penalë për një vrasje të mëparshme me thikë në Greqi, është ende në arrati.
Raportohet se viktima Keli Hoxha ishte me nënën, bashkëshorten dhe dy fëmijët pranë kalasë. Ai u ka bërë foto fëmijëve me kalin dhe nuk ka paguar para.
Pas kësaj ka nisur debati mes tyre dhe pronari i kalit, Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63 vjeç, e qëlloi me thikë turistin nga Tirana, në sy të familjarëve të tij.
“Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi K. M., alias K. H., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, Berat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia.



