10.5 C
Tirana
E shtunë, 13 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Telefonata e acaruar e Ramës rrugëve të Romës, shkarkimi i zv.ministrit Hodaj dhe projekti 140 milionë dollarë

    Në 12 nëntor mediat në Shqipëri transmetuan videon e një telefonatë të acaruar të Edi Ramës rrugëve të Romës. Personi në anën tjetër ishte Julian Hodaj, zëvendësministri i Brendshëm.

    Arsyeja është kontrata e nxehtë 140 milionë dollarë e projektit Smart City. Julian Hodaj ngurroi të shtynte përpara kontratën kontroverse, shuma e së cilës u rrit dy herë.

    “Për çfarë je bërë bashkëkryetar ti? Që të krijosh pengesa. Për ça je vënë ti bashkëkryetar aty? Na keni kthyer një vit mbrapsht. Çfarë oponence bëni ju aty?,” ishin fjalët e Ramës nga Roma.

    Hodaj kërkonte më shumë garanci ligjore për të hedhur firmën mbi koncesionin miliarder, i cili përveç sikletit të kostove të fryra dhe proçedurës ekstraligjore ka dhe një siklet tjetër, ndoshta më të madh. Shqetësimin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë, se pas projektit qëndron një kompani e quajtur G42, e cila ndonëse me seli është në Abu Dabi, dyshohet për lidhje të forta kineze.

    Hodaj e kishte shumë të qartë se steka ishte shumë lart, ndaj kërkonte oponencën dhe hezitonte të firmoste.

    Në mars të këtij viti, qeveria dërgoi për miratim në Parlament projektligjin për ratifikimin e një kredie prej 118 milionë dollarësh, që Shqipëria do të marrë nga Fondi i Abu Dhabit. Borxhi, me afat shlyerje 15 vjet dhe interes 4 për qind në vit, po merret për të shkuar sërish në Abu Dhabi.

    Sepse 118 milionë dollarët do të shkojnë për të paguar një kompani nga Abu Dhabi e quajtur Presight Al Ltd, e lidhur me G42, e cila do të realizojë projektin e monitorimit të trafikut me kamera në 20 qytete të vendit. Kontrata 118 milionë dollarëshe, e cila bashkë me TVSH-në shkon 140 milionë dollarë do të jepet pa tender, me marrëveshje direkte.

    E thënë më thjesht. Qeveria shqiptare do të marrë 118 milionë dollarë borxh nga arabët për t’ja u paguar sërish arabëve, ndërsa qytetarëve shqiptarë u mbetet barra e shlyerjes së borxhit.

    Pas miratimit të ligjit për kredinë, qeveria ngriti një grup të posaçëm pune për të negociuar kushtet teknike të projektit. Grupi kryesohet nga drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit dhe zvministri i Financave Juljan Hodaj. Por për shkak se anëtarët e grupit hezitonin të firmosnin pataten e nxehtë që u kishte servirur qeveria, disa prej tyre kishin kërkuar oponencën e studimit të fizibilitetit, pasi bëhej fjalë për një kontratë më të madhe se 100 milionë euro.

    Kjo është arsyeja se pse nga rrugët e Romës, Rama i bërtiste Hodajt dhe drejtorit të IT-së në Polici në telefon që “çfarë oponence bëni ju se na keni kthyer një vit mbrapa.” – shkruan faqja Kapital.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit