Ish-zv.kryeministri Erion Braçe foli në emisionin “Arnautistan” mbi arsyet e largimit nga qeveria.
Braçe foli për “thika pas kurrizit” duke u shprehur se nuk mund të ndante qeverinë me një tjetër person.
“Ishte zgjedhja ime që të mos isha në qeveri. Ka shumë arsye, një pjesë janë konsumuar mes meje dhe kryeministrit. Janë disa gjëra që mbase koha mund t’i tresë apo t’i nxjerrë në dritë më vonë. Janë disa gjëra që lidheshin me mua, që ia kam komunikuar kryeministrit. Në fund ishte zgjedhje e imja që duhej respektuar.
Kishte shumë gjëra që s’më pëlqenin, gjithmonë në raport me mua. Një prej elementëve janë këto thikat pas kurrizit. Jemi pothuajse në të njëjtat ditë. Pati një fushatë të madhe në atë moment edhe për shkak të një çështje penale nga SPAK-u përkundrejt një kryetari bashkie, që padrejtësisht, tërësisht në mënyrë të rreme, por e nxitur politikisht edhe nga brenda, u hodh mbi mua mbi kurriz.
Jemi në dritën e një gjyqi, që ka nxjerrë të vërtetën në publik dhe unë s’kam të bëjë fare. Në atë periudhë s’mund të ndaja qeverinë me një person që e nxiste këtë gjë. Edi Rama ishte i qartë për çështjen, por në të tilla kushte s’kishte vend për dy, kishte vend vetëm për një.
Janë shumë gjëra që mendova se mund t’i ndryshoja nga brenda. Për një periudhë 7-mujore deri në tërmetin që i ndodhi vendit, gjërat po shkonin në hullinë e duhur, po mundoheshim të vendosnim një disiplinë dhe rregull, dhe nxitjes së një kulture pune në zyrat e shtetit.
Tërmeti e bëri qeverinë më të gjerë dhe disa nga elementët që i kisha trajtuar gjatë vjeshtës së atij viti, që kishin të bënin me politika fiskale dhe politika ekonomike në dëm të bujqësisë dhe shtresave të varfra dhe të mesme, që tani po provohen të dëmshme, u prodhuan kushtet që të kishte stanjacion, në favor të këtyre njerëzve.
Ditën që jam larguar e kam falënderuar Ramën për lirinë që më lejoi brenda qeverisë. Gjatë dy viteve e gjysmë kam pasur komunikim me të. Kisha liri të kundërshtoja dhe të mos firmosja në raste të caktuara”, tha ai.
Braçe tha se bujqësia në Shqipëri është në kushte primitive, ku nuk bëhet fjalë për treg, por për pazar. Ai e konsideroi të nevojshme bërjen e bursës vendore në bujqësi, një vendim që sipas tij mbahet peng nga karteli i grumbulluesve që cakton çmimet me telefon.
“Kam idenë që bujqësinë s’e konsiderojnë një gjë të madhe, e konsiderojnë një gjë që është aty edhe…Atyre njerëzve që merren me punën iu është rikthyer vëmendja, kudo, vetëm në Shqipëri jo. OKB dhe NATO, BE, flasin për sigurimin e ushqimit, Amerika flet. Lufta i ka dhënë prioritet absolut sigurimit të ushqimit, të gjitha vendet po mundohen të ulin varësinë nga importi. Kam që vjet në shtator që bëj thirrje të mbillet grurë.
Rusia dha shenjat që po e përdorte grurin si element strategjik. Më vjen mirë kur më dërgojnë foto dhe video, autokombajna që korrin edhe kodra. Jam i lumtur që njerëzit kanë dëgjuar. Është primitive që gruri të shitet me 50 lekë, s’mund të jemi kaq primitiv akoma. Është tmerr që bujqësia ka ngelur në këtë stad, ne s’kemi treg, kemi pazar.
Bujkun e kemi në stresin më të madh, jo për prodhimin, por a do e shesë apo jo dhe me çfarë çmimi do ta shesë. Janë shumë pak para që fitohen që nuk e bëjnë një djalë të ri të merret me këtë punë në fshat. Ka parë babanë dhe gjyshin si kanë vuajtur dhe s’e do atë jetë. Ka djem të rinj nga Divjaka që punojnë në Katania si bujq për 1.500 euro në muaj, punojnë si skllevër.
Duhet të kemi një bursë. Në mënyrë që bujku të blejë të ardhmen, jo varfërinë. Është bursa që e kompenson kur çmimi është në çmimin e bursës. Bursa vendore s’bëhet sepse për fat të keq është ndërtuar një rrjet grumbulluesish, që s’lejojnë të zhvillohet diçka përtej kartelit të tyre, ku i vendosin çmimet me telefon. Në Shqipëri s’ka trajlera, punojmë me kompani maqedonase. Këtu o ndërtohen vila o pallate”, tha deputeti socialist.
Ndër të tjera Erion Braçe tha:
“Në këtë vend edhe mund të gënjesh nga mëngjesi në darkë, por unë s’e bëj dot. Unë s’e shoh dot Edi Ramën në sy dhe ta gënjej! Ka të tjerë që e bëjnë. Kur shoh që hauri është bosh, nuk them dot që janë 2-3 lopë”.