Gazetari Mero Baze, ish-këshilltar i Berishës, sot nga kritikët e tij, tregon një episod nga raportet e tij me ish-kryeministrin, sot person non grata në SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Biseda ka të bëjë me arrestimin e Berishës, kur Meta ishte kryeministër.
“Për të gjithë këta avokatë që duan të relativizojnë të vërtetën, mund të hetojnë jetën politike të Ilir Metës dhe raportet e tij me SHISH dhe Autoritetin e Dosjeve për të kuptuar sa i terrorizuar ka qenë nga kjo histori”, – shkruan Baze dhe tregon:
“Fill pas ngjarjes së Poliçanit, në Shtator 1992, kur Ilir Metës ju hoq imuniteti në Kuvend dhe u çua për ndjekje penale, ndodhi një kthesë e beftë pasi Bashkim Gazidedja u konsultua me Sali Berishën. Befas ai u la i lirë dhe u bë luajal me pushtetin e Sali Berishës.
Siç e kam përshkruar gjatë dhe me detaje në librin tim “Viti 97”, SHIK-u Gazidedes u kthye në një zyrë shtypi të Ilir Metës në zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste deri në vitin 1997. Oficerët e SHIK regjistronin takimet e njerëzve të Fatos Nanos dhe i zbardhnin për llogari të Ilir Metës e deri tek shërbime financiare dhe diplomatike për të.
Komisioni Mezini i kontrollit të dosjeve që në fakt ishte një institucion gjysmë qesharak, pasi funksiononte vetëm me porosi për persona të veçante, shpallte spiunë në Partinë Socialiste ata që rekomandonte Ilir Meta tek Sali Berisha dhe natyrisht përdorte klauzolën e ligjit që thoshte “vendimi është marrë mbi ato materiale që janë gjetur”. Me këtë klauzolë, Komisioni ishte në rregull, nëse një spiun nuk e shpallte spiun, se thoshte nuk e gjeta dosjen.
Pas përplasjes së egër të Ilir Metës me Sali Berishën në vitin 2000, kur Berisha u shoqërua në komisariat kam pasur një bisedë interesante të. Duke qenë se kam qenë dëshmitar se si Berisha e përdorte Ilir Metën në periudhën 92-97, e pyeta se si mund ta bënte ai këtë poshtërim të tij.
– Është vënë në provë nga Sigurimi,- më tha. Ti e di që ai ka dosje. Ata kanë dyshuar që ne e kemi përdorur dhe po e vënë në provë, që t’ia falin apo jo. Është rob i Pobratit. Ai ja ka dosjen.
Ishte një dialog, që nuk e besoja shumë për shkak të stereotipit që ai përdorte për gjithë armiqtë e vet të cilët ishin ose bashkëpunëtorë sigurimi ose me probleme morale.
Por në fakt Berisha e besonte vërtet që atë e kishte vënë në provë Sigurimi i Shtetit kundër tij…”