22.5 C
Tirana
E shtunë, 10 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Tirana e heshtur e njerëzve të thjeshtë dhe punëtorë”, Luljeta Bozo: Një anë e punëve të Erion Veliajt, për të cilën flasim shumë pak

    Nga Luljeta Bozo

    Disa autorë dhe personalitete kanë shkruar për Tiranën tonë të dashur, për arritjet e shumta të saj, sigurisht edhe për të metat gjatë punës.

    Kanë folur këto kohë, nëpër media, edhe të tjerë, ata që mohojnë çdo gjë të bukur, ata që mohojnë çdo punë e çdo përpjekje, nga ato që e kanë bërë kryeqytetin tonë një metropol më të pastër, më të rregullt, me ndërtime shumë më të bukura se më parë, me një popullsi të re gjithnjë në rritje, me rrugë të rregulluara, me pedonale e korsi biçikletash; një qytet gjithnjë e më të banueshëm, më atraktiv dhe me mundësi gjithnjë në rritje për punësim dhe jetesë dinjitoze.

    Këta të dytët, nihilistët dhe mohuesit e gjithshkaje të arritur, nuk e shohin, ose nuk duan ta shohin këtë transformim. Por ndryshimet janë shumë të mëdha, veçanërisht gjatë tetë viteve të fundit.

    E vërteta është që Tirana e sotme është bërë e dashur për shqiptarët brenda dhe jashtë Atdheut dhe veç kësaj, po tërheq çdo ditë e më shumë vëmëndjen e vizitorëve të huaj. Rrugët e qytetit gumëzhijnë prej tyre.

    Tirana gumëzhin edhe nga ndërtimet, edhe nga veprimtaritë artistike, nga aktivitetet rinore e sportive. Vitin e kaluar Tirana ishte kryeqytet i rinisë europiane, këtë vit është kryeqytet i sportit. Po cili shqiptar nuk gëzohet kur dëgjon lajme kaq të mira për kryeqytetin e vendit të tij?

    Tirana ka ndërtime të shumta, sepse ajo po rritet, popullsia e saj po shtohet shpejt, por ky ritëm ndërtues i pashmangshëm po ecën paralel me gjelbërimin masiv. Shikoni pemët e shumta anës rrugëve, sistemimin e Lanës që dikur e kthyem në kosh plehrash, shikoni parqet dhe lulishtet që po shtohen në drejtimin verior të saj, drejt Paskuqanit. Janë punë të mira këto. Nuk është punë e vogël edhe pylli orbital që do t’i japë efektet e veta të plota për qytetin pas disa vitesh.

    Kush mund të mohojë zhvillimin e transportit urban brenda qytetit dhe ndërlidhjen e lehtësuar të qendrës me periferinë? Qindra kilometrave rrugë rurale dhe rrugë e rrugica brenda qytetit janë asfaltuar.

    Si mund të mohosh ndërtimet fantastike që janë bërë në periferi për të strehuar të dëmtuarit nga tërmeti i 2019? A kanë shkuar ndonjëherë nihilistët në zonat ku u strehuan pa asnjë pagesë qindra familje të cilave u ishin dëmtuar ose shkatërruar banesat nga tërmeti?

    A nuk e shohin që Tirana është tani një destinacion mikpritës ku po zhvillohen shumë lloje të turizmit, si agroturizmi, turizmi kulturor, arkeologjik e historik, turizmi i aventurës, eco-turizmi?

    Është e qartë se pa organizimin, koordinimin, administrimin e shkëlqyer të Bashkisë së Tiranës këto punë nuk do ishin bërë.

    Dhe për mendimin tim, komunikimi me njerëzit është çelësi i suksesit të këtij ekipi bashkiak. Kur arrin të fitosh zemrat e njerëzve, kur arrin të dëgjosh me përulësi çdo këshillë e vërejtje të tyre, suksesin e ke të garantuar.

    Dua të ndalem në vijim, në një temë, për të cilën flasim shumë pak. Flasim shumë pak për kujdesin dhe vëmëndjen që ka treguar Bashkia e Tiranës për anën sociale e shpirtërore të banorëve të saj.  Shumë gjëra janë arritur në këtë drejtim, por dhe shumë të tjera duhen bërë, sepse e mira s’ka fund.

    Në marrëveshje me ndërtuesit Bashkia e Tiranës merr një tre përqindsh nga ndërtimet për të rregulluar me strehim kategoritë në nevojë dhe të pastrehët. Që në fillim të marrjes së detyrës Erion Veliaj arriti të ngrejë ura komunikimi të frytshme me ndërtuesit, që ata ta ndihmonin rehabilitimin e kopshteve dhe çerdheve që ishin në gjëndje katastrofike, gjithë lagështi, me mure të rrjepura, pa ngrohje.

    Dhe ia doli! Është një kënaqësi e veçantë të shohësh fëmijët e çerdheve e kopshteve që hyjnë në institucione te reja apo të rehabilituara, të pajisura me lodra e mjete didaktike, diku dhe me ndonje oborr të vogël, ku kujdesi i edukatoreve, mjekëve dhe i personelit tjetër është maksimal.

    Po keshtu, shumë familje të reja kanë përfituar kredi të buta për blerjen e një shtëpie. Pa fund janë të rinjtë që kanë përfituar mbështetje financiare nga Bashkia e Tiranës kur kanë filluar një biznes të ri.

    Janë hapur disa mensa ku u jepet ushqim njerëzve që s’kanë me ç’farë të rrojnë. Po kështu janë ndërtuar disa mjedise që njerëzit e pastrehë të mund të flejnë relativisht në kushte normale, e të mos i gjejë i ftohti i madh ose vapa përvëluese në rrugë.

    Janë hapur qendra sociale, ku kalojnë një pjesë të kohës së tyre pensionistët dhe ku atyre u shërbehet në mënyrë vullnetare nga të rinjtë, duke rinisur kështu një nismë shumë të vlefshme për shoqërinë, që është vullnetarizmi dhe kujdesi për të moshuarit.

    Në çdo lagje të Tiranës njerëzit, të rinj e të moshuar, kanë nga një bibliotekë, ku mund të lexojnë libra të rinj e te vjetër dhe mund të diskutojnë rreth tyre.

    Zotërinj nihilistë, ky është një kontribut i madh për zhvillimin e kulturës së njerëzve, dhe për krijimin e një shoqërie sa më demokratike, paqësore dhe mirëkuptuese.

    Është Bashkia e Tiranës që ka treguar një vëmëndje të vecantë për krijimin e kushteve sa më optimale për studentët qe vijnë të studjojnë në universitetet e shumta të Tiranës. Janë bërë rikonstruksione konviktesh, në shumë prej tyre është vendosur ngrohja qendrore, janë hapur menca studentore; mbi të gjitha studentët janë pajisur me Kartën e Studentit, që u krijon atyre shumë lehtësira.

    Është Bashkia e Tiranës që ka treguar një vëmëndje të veçantë, që çmimet e biletave të linjave urbane të ngelen të pandryshuara, megjithë ngritjen galopante të çmimit të karburanteve në treg.

    Kjo është Tirana e njerëzve të theshtë, e njerëzve punëtorë e paqedashës, që përpiqen përditë për një jetë më të mirë, të cilën duan ta realizojnë vetëm me punën e tyre.

    Një Bashki, e cila mendon e punon për ta, një bashki e cila di të krijojë ura komunikimi me ta, që u bëhet krah dhe i ndihmon, kjo bashki nuk ka pse të mos meritojë mbështetjen dhe vazhdimësinë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit