9.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Tirona dhe jabaxhinjtë e ardhur

    Nga Roald A. Hysa*

    Disiplinat moderne mbi studimin e përbërjes sociale janë marrë gjerësisht me lëvizjet e brendshme migratore dhe psetë e shumta të këtyre lëvizjeve nga fshati në qytetet kryesore. Tirona vet si emërtesë përfaqëson një histori të tërë mbi popullimin e saj, ku një pjesë e mirë e familjeve të hershme të saj si qytet kanë ardhur nga fshatrat rreth e rrotull. Rrëfenjat gojore tregojnë se një pjesë e këtyre familjeve të para u vendosën aty ku sot është sheshi, ku më parë gjendej xhamia e Sulejman Pashës dhe Pazarit të Vjetër, që u zhdukën nga furtuna komuniste. Tirona ishte një qytet me konotacione të forta myslimane që e ndoqën atë deri në vitin 1920, kohë kur do të vendosej kryeqyteti i Shqipërisë dhe më pas do të ndryshohej edhe paraqitja e saj arkitekturore urbanistike.

    Përpara kësaj zgjedhje me kohë në Tironë ishin vendosur një komunitet arumuno-vllah të njohur nën emërtimin popullor llacifac apo edhe çoban, për shkak se merreshin me bagëti. Ata me shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit ishin integruar prej kohësh me jetesën qytetare tironce, prej më së paku një shekulli. Ishin ortodoksë dhe kishin kishat e tyre. Po ashtu ishte dhe një komunitet të ardhurish nga vende të ndryshme katolike në Tironë, që na i rrëfen Dom Mark Dushi në Tirona dhe rrethinat e saj e i përket kryesisht shek. XIX.

    Këta ndjehen edhe sot e kësaj dite tironca vendalinj dhe kanë kontribuar në bashkëjetesën qytetare pa shkaktuar probleme dhe të pakompleksuar fetarisht. Kjo vërehej gjatë muajit të Ramazanit, ku në respekt të bashkëqytetarëve myslimanë nuk pinin duhan, apo të hanin e të pinin në sy të tyre. Aq mirë shkonin me njëri-tjetrin, saqë kur ushtonte topi për të lajmëruar kohën e iftarit fëmijët pa dallim shtroheshin nëpër sofrat myslimane për të ngrënë dhe tradita e dyerve të hapura të familjeve myslimane për Ramazan ka vazhduar deri vonë.

    Viti i largët 1913 do ta gjente me shumë probleme dhe halle Tironën tonë, ku ndër to ishte edhe ardhja e dibranëve apo sheherlive për shkak të spastrimeve etnike serbe mbi popullatën e qytetit të Dibrës e rrethinat. Tironcit i hapën dyert për jabonxhinjtë, të cilët kishin ardhur me rrobat e trupit. Sheherlinjtë dibranë në pjesën më të madhe i blenë trojet dhe ndërtuan shtëpitë e tyre, po ashtu pati raste kur tironcit ua falën trojet për të ndërtuar, një solidarizim që nuk do të përsëritet më në historinë tonë moderne.

    Deri këtu jemi në rregull me traditën e zakonet e kësaj kohe, e cila për nga rrethanat politike, që i rrethonin Shqiptarët po evoluonte me shpejtësi dhe jo në të mirë të tyre, qoftë të tironcave, qoftë të shqiptarëve! Viti 1920 do ta shkëpuste definitivisht nga e kaluara, për ta projektuar në një të ardhme, e cila do t’ia ndryshonte pjesërisht edhe mënyrën e jetesës. Tirana shpallet kryeqytet dhe do të mbetet profetike distiku i famshëm i Hafiz Ibrahim Dalliut, kur mori vesh këtë lajm:

    Lum Tirona kryeqytet,

    Mjerë tironcit se ç’i gjet!

    Pazari i Vjetër do të rregullohej pjesërisht duke iu shtuar Pazari i Ri. Akset kryesore rrugore do të rregulloheshin së bashku me godinat e reja qeveritare me vulën e re të futurizmit italian mbështetur në kohët e lavdishme romake së bashku me Pallatin Mbretnor për Zogun I Mbret i Shqiptarëve. Por tironcit vazhduan t’i ruajnë oborret e tyre me halen në fund të oborrit dhe me hamamet brenda dhomave të gjumit për t’u larë. E gjitha kjo për shkak se pjesa muslimane bën larjen rituale të pastrimit pas marrëdhënieve seksuale, gjë që tregon edhe diskrecionin e tyre për punët e krevatit, duke i vendosur hamamet brenda dhomave të gjumit, ku ujërat e hamamit ndaheshin nga ato të fekaleve.

    Higjena dhe pastërtia nuk mund të shkuleshin kollaj dhe kjo e shkrirë edhe me zakonet e grave dibrane të sëmura pas pastërtisë. Kalldrëmi i oborrit lahej për ditë dhe kazanët e larjes së rrobave me finjë vendoseshin rregullisht mbi zjarr deri sa u futën në përdorim lavatriçet e para. Në këtë periudhë të 1920 e deri 1944 do ta pasuronin Tironën me të ardhur nga Mati, Dibra, e jugu i Shqipërisë në administratën zogiste, e cila do të fillonte të hiqte referencën bej për të kaluar te shprehja zotni dhe ngrihen në këtë kohë ngastrat e para të Tironës së Re.

    Ndryshojnë termat e jetës sociale dhe hidhen hapat e para të perëndimizimit të Tironës me vilat e reja të tregtarëve e bejlerëve, që vërshuan nga të katër anët e Shqipërisë. Tabakhanes e Brrakës ku shijoheshin qejfet popullore të ahengjeve dhe femrave të ndryshme i shtohet hotel Dajti, ku zbaviteshin klasa e lartë aristokratike. Ballot e mbretit Zog ishin eventet më të lakmuara nga shtresa e re, që ndjente nevojën për t’u distancuar nga vulgu. E megjithatë tironcit nuk i ndryshuan shumë nga tabiatet (zakonet) e tyre edhe me hyrjen e teknologjive të reja. Ata vazhduan të jenë të përkushtuar ndaj ijes e babës si strumbullar i familjes. Ijet tironase me mahramonet (shami koke) e bardha borë, që i dilnin para burrit të vet e ia merrnin nga duart torbet e pazarit dhe xhaketat, duke ua shtru bukën në sofër, ku shtrohej ushqimi dhe boheshin muhabetet se ça kishte bo vaki në pazar. 

    Pas 1944 do të vinte një valë e re të ardhurish, ku mbizotëron Jugu i Shqipërisë, që duan të imponohen me cilësinë e fitimtarit dhe nuk bëjnë dallim. Hyjnë e marrin vilat dhe shtëpitë më të mira të ish-elitës tiranase të formuar gjatë viteve 1920-1944 duke i cilësuar si shtëpi reaksionarësh, po ashtu duke e përbuzur qytetarinë tironce pse vishte nallone dhe hante bukë në sofër e gjithë familja. Me kalimin e kohës përzgjedhin shtëpitë e mëdha tironce e ua prishin shtëpitë me oborre të mëdha për të ndërtuar pallatet e reja me punë vullnetare. Lagje të reja me të ardhur do t’i shtoheshin si Lapraka e Kombinati, më vonë do të prisheshin Vorret e Bamit dhe do të shtoheshin parafabrikatet, që me shumë humor do të etiketoheshin nga komuniteti Rom: Ça jan kto shpia si bunkera! 

    Jeta e re socialiste me gardën e re revolucionare do të afektonte shumë shpejt e në përgjithësi edhe në veçanti tironcit, të cilët nuk hoqën dorë nga e folmja e tyre karakteristike dhe kunjat e holla. Por zëri më përfaqësues i tyre në këto vite ka qenë një burrë i imët, njeri pa njeri, por që ishte hazërxhevap dhe bejtexhi me nam: Sefer Daja. Për të fitu bukën e gojës ai punonte në një banjo publike mu në qendër, e cila ishte ndërtuar së bashku me lapidarin e Partizanit të Panjohur aty ku kishte qenë Xhamia e Sulejman pashës themeluesit legjendar të Tironës fisnike. Jo pa qëllim ishte ndërtuar aty banja, por vetëm se Sefer Daja nuk të linte rehat me bejtet e tij. Dikujt që kishte ardhur nga bregu i detit nga jugu i vendit i këndoi këtë bejte:

    Nga Bregu paske ardh,

    N’Tironë ke zon vend,

    Ma paske kaptinën si koqe dardh,

    Po na shiske edhe mend…

    Kështu pra kemi një zëdhënie tipike tironase përmes bejtesh ndoshta me një gjuhë tejet vulgare, por që qëllonin drejt e në shenjë dhe që duke kaluar gojë më gojë përpunoheshin simbas vendit apo edhe personit që kishe përballë.

    Mbas viteve 1990 fillon një periudhë tjetër për tironcit, që dolën sa rruar e qethur për shkak të pronave dhe shyqyr Zotit që u hoqën halet publike dhe krahas Partizanit të Panjohur tashti aty gjallon jo më Xhamia e Sulejman pashë Bargjinit, por një statujë e Sulejman pashës dhe varri monumental ikonik i Kapllan Pashës i mbuluar nga një grataçelë private.

    *Vetë autori i përket brezit të tretë të sheherlive dibranë, ku në rrugën e Saraçëve ka bashkëjetuar me fise të tjera dibrane e tironase.

    Peizazhe.com

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit