9.5 C
Tirana
E enjte, 22 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    “Titulli” i Gaz Demit…

    Mirënjohja është një nga vyrtytet më të çmuara në ditët e sotme, jo vetëm sepse është një vlerë njerëzore “në zhdukje”, por edhe ata njerëz që e mbartin, po pakësohen dita-ditës…

    Një prej lajmeve të pasdites së djeshme ishte fakti që qeveria shqiptare më në fund kaloi në formë qeraje në favor të Klubit të futbollit Partizani një territor që ka qënë pjesë e një reparti ushtarak në vitet e sitemit socialist. Realisht ky është një borxh i madh dhe i vonuar që qeveria e Shqipërisë i ka një prej klubeve emblemë të futbollit tonë.

    Tashmë dihet mirë se si, ambjentet e këtij klubi në rrugën “Frosina Plaku”, u tjetërsuan në një “pyll” ndërtimesh, me një histori problematike sa i përket mënyrës se si u shndërruan fushat dhe ambjentet e një klubi në pallate e kulla, por në të njëjtën kohë kjo ishte edhe thuajse zhdukja e Klubit Partizani.

    Ky i fundit filloi “të endej si çifuti në shkretëtirë” jo vetëm për të mbajtur gjallë një emblemë dhe një logo, por edhe një histori të tërë, që rrezikonte të fshihej me kalimin e viteve. Pikërisht në këto momente egzistenciale për Klubin e kuq, biznesmeni i njohur Gazment Demi vendos të blejë “sa frengu pulën” vetëm një logo… As fushë stërvitore, asnjë dhomë ku të zhvishej ndonjë lojtar, asnjë stadium ku të luante futboll ekipi që militonte në kategoritë më të ulta të futbollit, thjesht kodrat e liqenit për vrap (jo në orar “piku”) dhe ndonjë fushë tek- tuk, kur Federata e futbollit bëhej zemërgjerë dhe hapte ndonjë stadium të luante Partizani.

    Nuk mund ta mohoj askush historinë e klubit, trofetë (që në fakt ishin zhdukur fizikisht) por në atë kohë, invenstimi në futbollin shqiptar quhej “çmenduri”…

    Partizani kishte nevojë të ringrihej, të investohej nga A-ja deri tek Zh-ja, të krijohej një ekip konkurues, të rihapej Akademia dhe të bëhej funksionale, të kishte një fushë ku të stërvitej, një fushë ku të ushtronte aktivitetin e vet… Kishte nevojë për një “SHTEPI”…
    Nga daljet e rralla publike të Presidentit Demi, premtimi që i bënte tifozëve të kuq, por edhe opinionit sportiv ishte: “Partizani do rikthehet aty ku i takon dhe titulli im do jetë një Kompleks modern për klubin. ku të edukohen brezat dhe të luhet futboll…”

    Në fakt, sot pas 14 vitesh të drejtimit të Gaz Demit, klubi i kuq ka, jo vetëm një stadium të vetin, një strukturë hoteliere moderne, restorantin e klubit, televizionin e vetëm të llojit të vet, “Partizani Channel”, palestrën e forcës, por edhe një Akademi model, fituese në fushë dhe kontributore e jashtëzakonshme për futbollin shqiptar. Madje jo vetëm kaq, por edhe dy ekipe vajzash Partizanin U17 dhe Partizanin e vajzave të rritura. Gjithçka falë një investimi privat, 100% nga i njëjti “xhep”, as Qeveri e as Bashki.

    Mbi rënojat e reparteve ushtarake që i kishin mbetur vetëm rënojat, sot është ndërtuar një kompleks modern dhe një stadium që do të mirëpresë edhe Evropianin e moshave U 21 në vitin 2027. Ndonëse futbolli është një aktivitet sportiv, një e mirë publike, në rastin konkret shteti ka dhënë me qera tokën, për të zhvilluar e ndërtuar mbi të, një biznes që në vendin tonë nuk është kurrë fitimprurës, përkundrazi…

    E për tu rikthyer tek lajmi i pasdites së djeshme, rreth 14-15 ekipe futbolli të këtij klubi, luanin dhe stërviteshin në një fushë të vetme. Nevoja për të patur të paktën 2 fusha të tjera mbështetëse, ishte “ulëritëse” për klubin dhe pas një kalvari të gjatë vuajtjesh e premtimesh, proçedurash të tejzgjatura dhe të të firmosurit në “kohë të vështira”, më në fund vjen lajmi i madh: Partizani mund të ndërtoj…! JO pallate, as parqe orbitalë, as kulla, por fusha futbolli.

    Përsëri nga i njëjti xhep, i njëjti njeri… G. Demi! Por, mirënjohja është vyrtyt në zhdukje dhe mediat online vrapuan të lidhnin vendimin e vonuar të Qeverisë me favorizimin që po i bëhej Partizanit. Përse vallë?!?! Edhe futbolli duhet të politizohet deri në këtë pikë?! Nuk na mjafton që ka edhe biznesmenë të tillë që shyqyr kujtohen për sportin, për futbollin?! Apo se përveç futbollit, aty hapen vende të reja pune? Çdo gjë ka një kufi…

    Që nga viti 1980, Partizani ka fituar 5 tituj kampionë, dhe dy prej tyre i ka në epokën që u investua edhe për të ndërtuar një “Shtëpi” (Arenën e Demave), prandaj në vend sa të turreni në disa tituj për klikime, më mirë t’i hiqni “kapelen” Gaz Demit…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit