10.5 C
Tirana
E hënë, 16 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Tjetër hetim ‘shqiptar’ në SHBA, vëllai i deputetit, i përfshirë në aferën që ka goditur senatorin e fuqishëm amerikan (loboi dhe për Adriatik Llallën)

    Vëllai i ish-deputetit Korab Lita përfshihet në një hetim në USA që ka në qendër senatorin e njohur amerikan Bob Menendez dhe lidhjet korruptive që shkojnë në nivele të larta të qeverisë së Egjiptit.

    ‘The Daily Beast’ shkruan se kompania e Gazmend Lita është në zemër të një hetimi të fundit federal dhe lidh politikanin e lartë amerikan si dhe mbështetës të  demokratëve në SHBA me mashtrime përmes bankave dhe krim të organizuar.

    Hetimi i Departamentit të Drejtësisë ndaj Menendez, i cili kryeson Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë, sillet rreth një kompanie misterioze të quajtur IS EG Halal, me bazë në shtetin e senatorit, New Jersey.

    Në vitin 2019, qeveria e Egjiptit i dha firmës në fjalë të drejta ekskluzive për të trajtuar certifikimin e mishit ‘hallall’ – duke e kthyer në një hallkë kyçe në zinxhirin e furnizimit të një vendi me më shumë se 100 milionë banorë.

    Pra duke krijuar një monopol, pasi në Egjipt, i gjithë mishi i importuar duhet të jetë i certifikuar si “hallall”, që do të thotë se është prokuruar, ruajtur dhe dërguar në përputhje me ligjin islamik.

    Marrja e kësaj certifikate është një kërkesë thelbësore për furnizuesit e mishit që të jenë në gjendje të hyjnë në tregun fitimprurës egjiptian.

    Wall Street Journal raportoi se federalët kanë treguar një interes të veçantë për bashkëthemeluesin e IS EG Halal, Antranig Aslanian, një avokat që gazeta e raporton se mund të ketë lidhje me gruan e Menendez.

    Aslanian nuk pranoi të komentonte për këtë histori dhe IS EG nuk iu përgjigj kontakteve të përsëritura nga The Daily Beast.

    Por një rishikim nga ‘The Daily Beast’ i të dhënave publike dhe i raportimit të lajmeve vendore dhe ndërkombëtare zbuloi se marrëdhëniet e IS EG shtrihen shumë më larg.

    Materialet hetimore e lidhin kompaninë jo vetëm me qeverinë egjiptiane, por me një grup  biznesmenësh të Nju Xhersit, të ndërthurur me Menendez dhe dy aleatë të senatorit në makineritë e fuqishme politike lokale të këtij shteti: Fred Daibes dhe shqiptari Gazmend “Gus” Lita, vëllai i ish-nënkryetarlt të Bashkisë Kamëz, e më pas deputet i PD, Korab Lita.

    Të dy sipërmarrësit janë përballur me drejtësinë të akuzuar për krime federale. Lita ka pranuar të bashkëpunojë me Departamentin e Drejtësisë.

    Lita, një pronar kompanie ndërtimi, është një donator i Menendez dhe partner i shpeshtë biznesi i Daibes Enterprises si në sektorin e mikpritjes ashtu edhe në atë të ndërtimit.

    Ai është themeluesi i një “klubi social” shqiptaro-amerikan që funksiononte si një strofkë e paligjshme e lojërave të fatit, madje edhe si grup shantazhi. Hetuesit e quajnë “Ndërmarrja e Diamantit”.

    Edhe pse jo një anëtar zyrtar i “Ndërmarrjes”, Lita rrëfeu se kishte krijuar klubin dhe se kishte marrë një pjesë të fitimeve të paligjshme.

    Për më tepër, Lita është i lidhur drejtpërdrejt me IS EG Halal. Baza e të dhënave OpenCorporates identifikon Lita-n si drejtor i degës së IS EG në Indi.

    Avokati i tij ka dorëzuar një memorandum dënimi, pas pranimit prej tij të fajësisë. Lita dhe avokati refuzuan të flisnin me The Daily Beast kur u kontaktuan.

    Por të dhënat publike amerikane tregojnë se India nuk është e vetmja qeveri e huaj me të cilën ai ka ndërvepruar.  Të dhënat publike tregojnë se në fillim të vitit 2021, ndërsa ishte nën padi federale për akuzën e lojërave të fatit, Lita e përdori kompaninë për të blerë një pronë në bashkinë e East Rutherford nga Ministria e Mbrojtjes egjiptiane. Në aktin e shitjes figurojnë dy emra avokatësh: njëri është Antranig Aslanian, bashkëthemeluesi i IS EG; tjetri është këshilltari i përgjithshëm i Daibes, Robert Travers. Aslanian përfaqësonte qeverinë egjiptiane në një përpjekje për ta kthyer pronën në një aneks të Kombeve të Bashkuara dhe strehim për personelin ushtarak.

    Në vitin 2019 , Open Secrets raportoi se kompania e Litës kishte ndihmuar në financimin e një fushate lobimi në emër të një zyrtari shqiptar (Adriatik Llalla) i cili ishte ndaluar të hynte në Shtetet e Bashkuara për përfshirjen në korrupsion publik. I njëjti artikull zbuloi se Lita kishte inkorporuar një biznes import/eksporti në Shqipëri me Korab Litën, deputet i PD, në Kuvendin e Shqipërisë (në foton kryesore, me senatorin Menendez, gjatë një vizite në SHBA).

    Emri i ndërmarrjes shqiptare, në pronësi të të dyve, është i njëjtë me atë të firmës së tij të ndërtimit në SHBA: Lita Brothers.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit