Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar në lidhje me deklaratën e bërë nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila u shpreh se në Shqipëri janë mbjellë shumë rrënjë ulliri dhe ka mbiprodhim.
Përmes një postimi në “Twitter”, Braçe i është përgjigjur ministres me një kërkesë duke kërkuar që t’i tregojnë një grumbullues, i cili në magazinën që ka ndërtuar me lekët e shtetit ka grumbulluar ullinj.
Sipas Braçes është e tmerrshme që bujqërit të bëhen fajtorë për të dytin vit radhazi dhe problemi të jetë prodhimi.
“Per ULLIRIN;
Deri dje kishim hall mungesen
e prodhimit; dy vite me rradhe
kemi hall prodhimin;
Tmerr te besh fajtor bujkun
qe mbjell, sherben, shpenzon,
prodhon, tmerr!
Nderkohe, me tregoni nje
grumbullues qe magazinen e
ndertuar me parate e shtetit,
po grumbullon ulli!”, shkruan Braçe.
Kujtojmë se këtë të martë ministrja Krifca tha se janë mbjellë shumë rrënjë ulliri dhe rrjedhimisht ka mbiprodhim. Sipas ministres, nuk ka pasur planifikim dhe bujqit ndaj sot vendi është në vështirësi.
Megjithatë, Krifca u shpreh se qeveria është duke punuar për një kuadër ligjor me Francën, pasi ky vend ka shprehur interes dhe gatishmëri për të fuqizuar këtë treg.