Nga Bedri Islami
Është interesant se si mendjet e prapshta synojnë të kthejnë kohën pas, pikërisht në atë moment kur mendojnë se tashmë janë rikthyer në pushtetin e tyre. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme për to se sa koncepti i hakmarrjes, një fjalë e cila shqiptohet lehtë, tepër shpejt, synohet të serviret si një pjatë e ftohtë, thua se ajo nuk përmban më shumë se një rrënjë të idesë dhe të ndjenjës.
Nuk më ka bërë përshtypje shqiptimi i fjalisë tani të njohur të një deputeti, të quajtur Alizoti, që, duke dashur të shtiret si një ARISTOKRAT I KLASIT TË LARTË, KA NË THELBIN E TIJ PIKËRISHT ATË QË ËSHTË USHQYER NË GJITHË RININË E TIJ, HAKMARRJEN, DUKE SHKUAR DERI NË DELIRIN E NJERIUT QË, NË NJË KOHË TJETËR DO TË KISHTE BËRË EDHE MË SHUMË SE AQ.
Koha e prapshtë lind ide të prapshta, ashtu si mendjet e sëmura kthejnë vazhdimisht ide të çartura. Ideja e Alizotit për të “ngrënë të gjallë” kundërshtarët e tij nuk merret seriozisht në kuptimin e saj real, jo vetëm për faktin se nuk ka “dhëmbë”, por edhe se, sa herë që një klasë e tillë është ndeshur me gjysëm opingat, si i quan me përbuzje kundërshtarët e tij politikë, ia kanë treguar vendin, ashtu si në këto 35 vite pluralizëm, duke mënjanuar, e shpesh herë përbuzur këtë lloj “elite”, më shumë e kanë lënë në stolat reservë të pushtetit, se sa kanë qeverisur.
Përse Alizoti, jo vetëm kësaj here, i është kthyer idesë së gjysëm opingës, apo, të shfaqur edhe më heret, se, në një kohë tjetër, këto që qeverisin sot nuk do të kishin bërë punë tjetër në plazhet shqiptare, vetëm do të ishin shërbëtorë të çadrave!!
Nuk dua të mendoj se ku do të kishte qenë drejtuesi i partisë së tij, nëse do të kishte vazhduar koha e bejlerëve, shumë prej tyre të shitur në të gjitha regjimet pushtuese, që nga perandoria turke e deri tek fashistët italinë; nuk dua të përfytyroj se si e “pushtuan” botën, por nuk menduan kurrë një herë për vendin e tyre, as se si, në pragun e ikjes së tyre nga pushteti lanë pas vetes një popullsi që në shumicën dërmuese nuk dinte as shkrim e as lexim, kishte të vetën “Legjendën e Misrit”, apo mjerimin e pa fund; kur këto bejlerë, përsonazhe groteskë të Fan Nolit zgërvalleshin në kazino dhe në oborret e pushtuesve.
Ku do të kishte qenë lideri i tij, Berisha, nëse do të kishte vazhduar sundimi i bejlerëve? Po Noka, po gjithë ajo shumësi njerëzore që ka besuar në opozitën e që, çuditërisht vazhdon të besojë?
E djeshmja e tërheq pas vetes një skotë politike, të cilët dëgjojnë ende këmbanat e sundimit të tyre, goditjen që mendojnë se është e drejtë dhe e logjikshme. Nënvetëdija e tyre është e mbushur me pasazhe urrejtje për gjithçka që nuk është e tyre, krijimi i idesë së kastës së privilegjuar, pavarësisht se pasuria e tyre buron nga fermanët sulltanorë apo dekretet e fashizmit, sjell halucinacione të rrezikshme për jetën e tyre, ashtu si ndjell edhe zhgënjimin, çka i bën edhe më të rrezikshëm në botën e mbyllur brenda vetes.
Një lloj fashizmi i fshehur qëndron në nënvetëdijen e tyre. Pasiguria e së nesërmes i bën të pështirë, dhe, në të njëjtën kohë, humbës. Në vetë opozitën e tanishme, përbërja e saj është e larmishme, nga të gjitha shtresat, të cilët, edhe pse jo pak herë kanë rrënjët e së djeshmes së tyre në komunizëm, besojnë apo duan të besojnë në zhvillim të ri. Edhe këto do i hajë të gjallë deputeti që është edhe i vetëquajtur aristokrat. Fuqia e tij reale nuk është as tek bimët që ka rreth e rrotull, por mendja është kanibale.
Koncepti i këtyre “aristokratëve” një lloj revanshi, sipas së cilës , “si ju kemi duruar, ne, të përndjekurit, për 40 vite, ashtu do të na duroni edhe ju në 40 vitet e ardhshme”, dhe, kur, jo rastësisht, gjithçka ndodhi në rrethana të tjera, dhe sundimi i tyre, në disa vite, solli pas vetes ngjarjet më të rënda në pluralizëm, atëherë, mendja e pa qetë nga dështimi, i rikthehet agonisë së kërcënimit, si gjetja e fundit e lehtësimit të nënvetëdijes.
Është thirrje e njëjtë si dikur e Enver Hoxhës për të “ngrënë gjallë armikun e klasës”, por në një mjedis tjetër, që, edhe pse mbetet dëshirë, është dëshmi e asaj që është brenda vetes.
Në më shumë se 3 dekada pluraliste Shqipëria ka njohur thirrje të ndryshme, që, edhe në kohën që janë hedhur, por edhe më pas, kanë pasur në vete ndjenjën dhe, në të njëjtën kohë makthin e hakmarrjes.
Katër vite më parë, në pikun e fushatës për zgjedhjet politike të vitit 2021, pikërisht në Elbasan, nga ku bëri thirrjen e tij të famshme zoti Alizoti, do të ndodhte një vrasje politike, e inspiruar nga njëri prej krerëve të opozitës. Vrasja, dhe, pas saj thirrjet për rivrasje, si ato të Xhelal Mziut, ndikuan jo pak në humbjen e opozitës.
Katër vite më pas, përsëri njëri nga drejtuesit e opozitës, përsëri, si edhe ai tjetri, drejtuesi politik i qarkut, lëshon thirrjen kanibale, të vetëdijshme për të dhe të pa kuptueshme për të tjerët, “ do juhamë gjallë”, ndaj kundërshtarëve politikë.
Do të sjellë edhe kjo humbjen e radhës? Do të ketë ndikim në qarkun e Elbasanit, por edhe përtej tij? Jam i bindur se në mjediset e opozitës nuk mendohet, në shumicën e rasteve, si Alizoti. Ndoshta edhe nga fakti se shumica e tyre i përkasin asaj kategorie që, sipas Alizotit, vijnë nga gjysëm opinga, por edhe nga që vetëdijen qytetare e kombëtare e kanë më lart se ai.