19.5 C
Tirana
E martë, 28 Tetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Tre zero për hakmarrje? Notat e drejtësisë së re, rasti Fuat Vjerdha: Kush më shkarkon, nuk kalon!

    Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për Gjykatën Kushtetuese është një nga gurët e themelit për drejtësinë e re në vend.

    Por vlerësimi që Fuat Vjerdha, një nga nëntë anëtarët e trupës vlerësuese, ka dhënë për tre kandidatë – Alma Faskaj, Florjan Ballhysa dhe Genta Bungo – ka ngritur pikëpyetje të forta mbi paanësinë e këtij procesi.

    Sipas dokumentacionit që disponon DITA, gjyqtari Vjerdha i ka vlerësuar të tre me “zero pikë”, një vlerësim skajshëm negativ që bie në sy, jo vetëm për uniformitetin, por edhe për faktin se të tre kandidatët kanë qenë pjesë e strukturave të vettingut që e shkarkuan Vjerdhën nga detyra në shkallën e parë.

    Pyetja është e thjeshtë: A ka vepruar Vjerdha si vlerësues apo si ish-i vlerësuar?

    Askush nuk po pretendon nota maksimale për kandidatët në fjalë – ajo i takon procesit dhe fakteve – por vlerësimi me zero për të gjithë, nga i njëjti vlerësues, e bën të pamundur që të mos dyshosh në një akt subjektiv, emocional dhe potencialisht hakmarrës.

    Kur flasim për drejtësi të re nuk mund të flasim për emocione të vjetra. Nuk mund të ndërtohet një sistem paanësor mbi baza personale. Dhe një njeri që nuk e ka kapërcyer dot etapën e vet personale me drejtësinë, nuk mund të vendosë për të ardhmen e saj.

    Më poshtë faksimile të vlerësimit të z.Vjerdha publikuar nga DITA (me të verdhë, zerot e tij për tre kandidatët)

    Kush është Fuat Vjerdha

    Gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Shkodër, z.Vjerdha ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor që prej vitit 1994. Para vettingut ishte kryetar i Apelit të Shkodrës.

    Në vitin 2019 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) i vuri në “sitë” kriteret e aftësisë profesionale, pasurisë dhe figurës. U vunë në dukje probleme me rreth 40 milionë lekë të vjetra, ose 4 milionë lekë të reja.

    Një çështje shumë kritike ishte vendimmarrja në Apel për rastin e Sokol Mjacajt: dënimi fillestar prej 10 vjet burg për vrasje u reduktua në appel për “moskallëzim krimi” dhe “sigurim kushtesh për kryerjen e krimit”, me 4 vjet burg. Vendimi u kritikua për pasojat që solli më vonë.

    KPK shkarkoi Vjerdhën më 10 Qershor 2019 për “cënim të besimit të publikut në drejtësi” dhe për problematikë në aftësitë profesionale dhe menaxhimin e dosjeve.

    Vjerdha apeloi vendimin e KPK dhe çështja shkoi te Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Me vendim të trupës gjykuese të KPA, u shpall se shkarkimi ishte i paplotë – u prish vendimi i KPK-së dhe Vjerdha u rikthye në detyrë.

    Kjo histori tregon sesa sfidues është procesi i vettingut në Shqipëri. Ajo ngre pyetje të reja për standardet profesionale të sistemit të ri.

    Është e qartë që në një sistem që kërkon të rigjejë besimin e qytetarëve, njerëzit që gjykojnë duhet të jenë mbi çdo dyshim. Çdo vendim që ngjall dyshimin se nuk është dhënë me gjakftohtësi, nga problem i individëve të përfshirë – bëhet problem i të gjithë sistemit.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit