33.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Tritan Shehu: Larg qoftë që Berisha të japë dorëheqjen, kjo do ishte goditje e rëndë për PD. Nuk largohem nga politika pa më marrë Perëndia

    Tritan Shehu ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama”, ku ndër të tjera është pyetur edhe për zërat që kërkojnë largimin e Sali Berishës nga drejtimi i PD.

    Ai thotë se kjo gjë nuk duhet të ndodhë, pasi sipas tij, do të ishte një goditje e rëndë për PD.

    Pjesë nga intervista:

    Pas humbjes së 11 majit, ka zëra se Berisha duhet të lërë drejtimin e PD-së…

    Edhe këtu pyetja e parë është a ishin zgjedhje të vërteta apo ishin një farsë zgjedhore? Dhe në bazë të kësaj arrihet të pyetja juaj. Kjo është shumë e rëndësishme. Më lart unë argumentova se ishin farsë, pra dhe qëndrimi duhet mbajtur si për diçka të tillë. Në këto kushte nuk shtrohet çështja e dorëheqjes së Berishës. Por ka dhe më shumë. Në këto kushte regjimi, revanshi antidemokratik të Ramës e të tij, çfarë efekte pozitive do të sillte një largim i supozuar i Berishës nga drejtimi i PD? Jo vetëm asnjë, por do të kishte efekte shumë të rënda negative për PD, pluralizmin shqiptar, demokracinë.

    Berisha është faktori kryesor i çlirimit të PD nga ai komplot që folëm më lart, faktori kryesor sot i demaskimit të farsës zgjedhore, faktori kryesor i mbajtjes së bashkuar të militantëve, anëtarëve, PD në tërësi e i frymëzimit për të qëndruar e përballur me regjimin. Kjo është e vërteta, mos të kemi iluzione. Berisha sot është i domosdoshëm në krye të PD-së e opozitës sonë. Çdo largim i tij do të sillte efekte shumë të rënda negative. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që pa u thelluar deklarojnë ndryshe. Se sa për ata që duan Ramën si Sulltan, është e kuptueshme që do të nxisin për largimin e Berishës nga drejtimi.

    Nisur nga kjo situatë, a duhet të rinovohet Partia Demokratike?

    Absolutisht ka vend për rinovim. Dhe PD e ka bërë në vazhdimësi. Ashtu si ka nevojë për bashkëjetesë brezash, profesionesh, eksperiencash, gjinore, idesh brenda programit tonë etj.. PD është një parti e madhe, e hapur, që në forumet drejtuese të saj, si Këshilli Kombëtar, grupi parlamentar ka shumë të rinj të aftë e më perspektivë. Ky është një proces fiziologjik, që nuk duhet konsideruar si luftë brezash, që do ishte shkatërrues. Ta kthesh të tillë do të thotë se paku ta transformosh në një proces diskriminues e dëmtues të rëndë.

    Ne kemi nevojë të zgjerohemi në të gjitha fashat e popullsisë, jo të përjashtojmë të tilla. Të punojmë të gjithë së bashku për t’iu kundërvënë këtij regjimi, i cili nga autokracia po shkon në diktaturë dhe që nuk është e lehtë për ta përmbysur. Prandaj duhet të jemi të qartë në këtë, pikërisht për të shtuar forcën përballë regjimit, që të mund t’i hapim rrugë një procesi të ndershëm zgjedhor.

    Ju jeni deputeti më jetëgjatë në Kuvend. Çfarë ju mban ende aktiv në politikë?

    Unë jam deputet që nga parlamenti i parë i 1991. Unë vij në politikë nga universiteti e spitali, duke u bërë pjesë e lëvizjes demokratike që në orët e para të saj, duke qenë në atë kohë mjek e drejtues i një nga departamentet universitare më të rëndësishmE klinike. Dhe gjithë ky aktivitet politik më bën realisht shumë krenar, ashtu si më bën dhe aktiviteti im universitar, mjekësor, shkencor në vazhdimësi.

    Në lidhje me sa me pyesni, jam i vendosur të qëndroj aktiv në politikë për aq kohë sa perëndia të më japë shëndet e mundësi. Sot mendoj se është koha për të vazhduar të qëndrosh, të marrësh pjesë. Dhe kjo realizohet në shumë mënyra, edhe në qoftë se nuk do isha deputet përsëri, do të isha aktiv në politikë. Sot më shumë se kurrë, ashtu si më 1990-91 kërkohet pjesëmarrja e të gjithë atyre që aspirojnë në një Shqipëri demokratike, europiane, të zhvilluar e të lirë nga sulltanatet. Ne fatkeqësisht nuk e kemi luksin të tërhiqemi, të qëndrojmë të qetë në shtëpitë tona, kur vendi po shkon drejt katastrofës më të thellë në të gjitha aspektet. Ky është qëndrimi im, këto janë bindjet e mia, për të cilat do të luftoj sa të kem mundësi.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit