Një turist britanik ka denoncuar një rast të mashtrimit me kartë krediti në Tiranë, siç pretendon ai, duke kërkuar ndihmë se si duhet të veprojë.
Turisti, në rrjetet sociale, pretendon se restoranti “N’Çarshi”, te Kalaja e Tiranës, i ka mbajtur një shumë të madhe prej 2,100 eurosh, në vend të 2,100 lekëve që kushtoi tavolina e tij.
“Isha në Tiranë gjatë fundjavës dhe një restorant më ngarkoi gabimisht 2,100 € në vend të 2,100 lekëve. Kur u ktheva në restorant, ata pretenduan se do të fillonin një rimbursim përmes bankës së tyre. E raportova problemin në bankën time (HSBC UK), e cila fillimisht lëshoi ??një rimbursim të përkohshëm.
Megjithatë, ata e kanë anuluar atë për shkak të provave të pamjaftueshme për ta klasifikuar pagesën si mashtrim. Restoranti tani nuk bashkëpunon dhe besoj se duhet ta raportoj incidentin në polici. Aktualisht jam kthyer në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të doja të paraqes një kallëzim policor dhe të shqyrtoj opsionet e mia të disponueshme”, shkruan ai në Reddit.
Ai gjithashtu thotë se ka vetëm faturën e kartës që ka kryer pagesën, dhe jo faturën tatimore të restorantit në fjalë.