19.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Turizmi që na turpëron

    Nga Sadiola Xhelili

    Rruga drejt Liqenit të Komanit është si një garë e heshtur me durimin. Fillon me fjalë të mira dhe përfundon në një pështjellim që flet më shumë për Shqipërinë sesa për natyrën e saj.

    Një tokë e bekuar, e mallkuar nga keqqeverisja lokale dhe shtetërore.

    Në vend që të përqafohesh nga një destinacion i përgatitur, të shfaqet përpara një hyrje që më shumë ngjan me dalje emergjente nga një strehimore lufte. Asfalt i shkatërruar, zhavorr që godet, pluhur që mbyt. Tuneli është një labirint i absurdit, ku policia bashkiake ndalon pa asnjë rregull.

    Udhëtarët, përfshi turistët e huaj, ndalohen dhe urdhërohen të presin në parkim. Furgonët nuk lejohen të kalojnë, çantat e kampingut ngrihen mbi shpinë.

    “Disgusting”, psherëtiu një turiste, ndërsa kapiteni i guidës i njoftonte se tunelin do ta bënin në këmbë.

    Dhe me të dalë nga tuneli, përplasja është edhe më brutale. Në vend të një pamjeje pritëse, një grumbull mbeturinash të zeza dhe plehrash të djegura, një vendqëndrim makinash që ngjan me një treg të braktisur. Në një nga pikat më të bukura të natyrës shqiptare, era e mbeturinave të plastikës të zë frymën, ndërsa plehrat – të harruara nën diell, bëhen harta të një shteti që s’di të turpërohet.

    “Deri më sot, asnjëherë, kurrgjë”, thotë kapiten Azgan Musaj. Një njeri që ka parë më shumë se ne. Ai shkon përtej bezdisë, përtej revoltës. Ai rrëfen një realitet të përditshëm që nuk ndryshon.

    “Rruga që keni bërë nuk bëhet këtë vit. Infrastruktura është skandal. Tuneli, kalata, parkimet e paligjshme, mungesa e rendit. Trageti vonohet sepse autobusi nuk kalon dot. Makinat parkojnë në tunel. Këtu s’ka shtet.”

    Shteti është i munguar. E jo thjesht në vendimmarrje, por në praninë më elementare. “Vetëm sot kanë sjellë dy policë. Dikur ka qenë postë policie. Sot nuk ka askënd. Këtu vijnë dy mijë veta në ditë. Kjo është një pikë strategjike për turizmin. Por nuk ka asnjë njeri që ta menaxhojë.”

    Rrugës përmes liqenit, që duket si pikturë biblike mes maleve, ndotja e lundrueshme bëhet fytyra e turpit. Copëza plastike, bidona, shishe, mbeturina që rrinë pezull mbi ujin e shenjtë si një mallkim i pashlyer. Trageti ngadalëson për të kaluar një barrikadë me copa druri.

    E më pas, kapiteni flet sërish: “Kur rritet niveli i liqenit, merr me vete gjithçka. Por kjo kërkon ndërhyrje. Shteti duhet të angazhojë një skuadër siç bëjnë në çdo vend normal. Një skuadër me motorskafe dhe pajisje. Turistët llahtarisen. Dhe ne na vjen turp. Është një skandal çfarë shohin gjatë gjithë rrugës.”

    Dhe ashtu është. Ndërsa natyra përpiqet të ruajë dinjitetin, shteti nuk përpiqet për asgjë. Dhe ajo që duhej të ishte karta e artë e turizmit shqiptar, kthehet në një faturë që ia faturojmë çdo vizitori.

    Turistët ndoshta nuk flasin. Por sytë e tyre shprehin neveri. Dhe neveria nuk harrohet. Sepse ndryshe nga ne, ata nuk janë mësuar të durojnë pisllëkun dhe rrëmujën si realitet turistik.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit