Turjan Hysko ka folur për herë të parë hapur mbi pengjet profesionale, dëshirat dhe xhelozitë që e kanë shoqëruar gjatë karrierës së tij 20-vjeçare në televizion.
I ftuar në podcastin e Dalina Buzit, ai u ndal tek momentet që e kanë bërë të reflektojë më shumë mbi rrugëtimin e tij mediatik.
Hysko është shprehur se një nga pengjet profesional është se nuk ka njohur Tan Hoxhën, duke deklaruar se admironë punën e Top Channel, televizioni i vetëm në të cilin ai nuk ka hyrë ende, për një sërë arsyesh që shpjegoi përgjatë intervistës:
“Një nga pengjet profesionale që kam është që nuk kam njohur Tan Hoxhën. Në aspektin, si strukturë flas. Unë nuk kam shkuar akoma në Top Channel, për ta mbyllur ciklin e plotë të televizioneve.”
Gjatë intervistës, ai pranoi gjithashtu se ka pasur dëshirë të prezantojë disa nga formatet më të njohura televizive në vend, si ‘Kënga Magjike’, ‘Big Brother’ dhe ‘Top Fest’.
“Kur unë shihja Top Fest-in, Këngën Magjike apo Big Brother-in, aty më kapte trishtimi. Arbana ka qenë fantastike, Ledioni ka qenë shumë i zoti në atë gjënë e vet, Goni me Amin, me Xhemi kanë qenë shumë të fortë me Portokallinë, Arditi s’diskutohet. I shihja dhe më vinte shumë inat, se e dija që e kisha kapacitetin për ta ‘kafshuar’ atë skenë. Thjesht më vinte shumë inat, të nesërmen pastaj, kthehesha në punë,” tha ai.
Turjani ka treguar se dikur ka pas xhelozi për Arbanën dhe Ledionin, kur i shikonte që ata bënin Top Fest-in.
“Të jem i sinqertë, kur shihja Arbanën, Ledionin, kush e bënte Top Fest-in atëherë, ndihesha xheloz, shumë. Sepse e dija dhe muzikën si funksiononte. Ndihesha xheloz në atë kohë, tani jo. Ika [nga televizioni] se nuk kisha çfarë të bëja më. […]Unë nuk kthehem më në televizion pa e patur punë të tretë,” shprehet Turjani.



