11.5 C
Tirana
E enjte, 15 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    U bllokuan apo jo vizat amerikane për shqiptarët?

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për një bllokim të vizave amerikane për qytetarët shqiptarë, duke i cilësuar ato si spekulime politike pa asnjë bazë reale.

    “Vendimi i fundit i Shteteve të Bashkuara nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi”, theksoi Spiropali në një reagim publik gjatë udhëtimit drejt Kievit.

    Ajo sqaroi se vizat turistike, studentore, për biznes, vizita familjare apo evente profesionale vijojnë normalisht dhe se askush nuk ndalohet të udhëtojë drejt SHBA-ve. Sipas saj, ajo që ka ndryshuar lidhet vetëm me politikat e qëndrimit dhe imigracionit.

    “Rregullat e qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit, por kjo nuk është një masë që targeton Shqipërinë”, deklaroi ministrja.

    Spiropali bëri të ditur se rishikimi i procesimit të vizave për qëllime imigrimi prek rreth 75 vende, përfshirë edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor, dhe është pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me sistemin e migracionit.

    “Nuk ka asnjë ‘listë të zezë’, asnjë ndalim dhe asnjë masë ndëshkuese ndaj Shqipërisë apo shqiptarëve”, theksoi ajo, duke i quajtur pretendimet për “nongrata imagjinare” si fabrikime politike.

    Në përfundim, ministrja ritheksoi marrëdhënien strategjike mes Tiranës dhe Washington-it.

    “Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të bashkuar nga vlera dhe qëllime të përbashkëta”, përfundoi Spiropali.

    Për çfarë bëhet fjalë?

    Një dokument i dyshimtë i administratës mund të jetë gjeneza e përfshirjes së Shqipërisë në një listë prej 75 vendesh të botës, të cilave administrata amerikane ka vendosur që për një afat të pacaktuar, t’u ndalojë përpunimin e vizave për emigracionin, me efekt prej 21 janarit.

    Sipas njoftimeve, pezullimi garanton të mos prekë vizat që lidhen me arsyet turistike dhe të biznesit.

    Megjithatë, vetë përfshirja në këtë listë e Shqipërisë, Kosovës, apo edhe vendeve të tjera të rajonit – përjashto Serbinë – është shqetësuese, sepse si kriter është marrë një dokument, mbi të cilin mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për saktësinë e të dhënave.

    Fillimisht, duhet kuptuar me çfarë kemi të bëjnë dhe si u arrit deri këtu.

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se duke nisur nga 21 janari do të pezullojë përpunimin e vizave imigruese për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

    Masa është pjesë e politikave të reja të administratës Trump që synojnë të ndalojnë hyrjen në SHBA të personave që konsiderohen të rrezikuar të bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale amerikane.

    Sipas Associated Press, pas një njoftimi të parë nga Fox News – një njoftim zyrtar nga DASH ende mungon – pezullimi nuk do të prekë aplikantët për viza jo-imigruese, përfshirë vizat turistike, të biznesit dhe kategoritë e tjera të qëndrimit të përkohshëm.

    Këto aplikime do të vijojnë të përpunohen normalisht nga ambasadat dhe konsullatat amerikane dhe përbëjnë pjesën më të madhe të kërkesave për viza drejt SHBA-ve, raporton AP-ja.

    Albanian Post ka kontaktuar Ambasadën Amerikane dhe Departamentin e Shtetit për komente, por deri në çastin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur një përgjigje.

    Zyrtarët amerikanë ndërkaq theksojnë se kërkesa për viza jo-imigruese pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim, veçanërisht për shkak të Kampionatit Botëror të Futbollit 2026 dhe Lojërave Olimpike 2028, të cilat Shtetet e Bashkuara do t’i presin ose bashkë-organizojnë.

    Vendimi ndërkohë prek vetëm vizat për emigrim të përhershëm, të cilat do të ndalen përkohësisht deri në përfundimin e një rishikimi të plotë të procedurave të verifikimit dhe kontrollit.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit