Luiz Ejlli është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë për çështjen e falsifikimit të aktit noterial dhe justifikimit të një shume prej 210 mijë eurosh. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën ankimore të avokatëve dhe kështu, u ndryshua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, e cila e dënoi me një vit burg Luiz Ejllin.
Luiz Ejlli ishte dënuar pasi kishte falsifikuar dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive. Asokohe, këngëtari, përmes vulës së noterit, ka falsifikuar dokumentacionin, për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive, të cilat supozohet se burojnë nga një aktivitet i dyshuar si kriminal. Luizi akuzohej për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, së bashku me një shtetas me nistoret F.A.
Sipas hetimeve, në regjistrat noteriale të vitit 2015, ekzistonte një tjetër deklaratë me të njëjtin numër repertori, por me palë të ndryshme, duke vërtetuar kështu falsifikimin.
“Deklarat noteriale e hartuar nga i pandehuri L.E., ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit. U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.