20.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    U grindën për macen, bojaxhiu në Tiranë masakron fqinjin me bisturi

    Një 38-vjeçar u plagos në Tiranë pa asnjë arsye dhe motiv nga njëri prej fqinjëve, i cili dyshohet se ishte mërzitur dhe mbante mëri pas një konflikti për macen.

    I dëmtuari, me inicialet G.M., sipas burimeve policore , u mor në pyetje në Spitalin e Traumës, ku dhe tregoi jo vetëm plagët e shkaktuara nga një mjet prerës bisturi, por edhe çastet përpara se të sulmohej. Detaje të ngjarjes raporton Komisariati i Policisë numër 3 në Tiranë.

    “Zbrita për të marrë një porosi në oborrin e shtëpisë dhe në momentin që dola, pranë meje kaloi F.C., dhe pa më thënë asnjë fjalë dhe pa asnjë arsye, më goditi me një mjet që pashë se ishte bisturi. Ai më goditi në qafë dhe unë vura dorën për t’u mbrojtur. E vura dorën përpara që të ruhesha dhe ai më qëlloi prapë e prapë duke më goditur edhe në dorë”, – thotë i dëmtuari pranë policisë.

    Policia thotë se i plagosuri kërkoi ndihmë tek fqinjët, duke bërtitur, teksa agresori pa komentuar u largua në drejtim të banesës së tij.

    “Unë me këtë person nuk kam asnjë konflikt, jemi fqinj. E kam vrarë mendjen se çfarë mund të ketë pasur. I vetmi kontakt dhe mosmarrëveshje ka qenë disa muaj më herët, kur unë po ushqeja macet në oborr dhe ai u nxeh nga zhurma e maceve. Ai u afrua dhe më goditi në atë kohë me grushte dhe më pas erdhi dhe në shtëpi, duke më kërcënuar me thikë. Atë kohë e sqarova se nuk kisha asnjë qëllim që të shkaktoja zhurmë në lagje, por vetëm se po ushqeja disa mace“.

    Në një rast, ky konflikt për macet kishte agravuar deri aty sa i riu ka sulmuar derën e shtëpisë, duke e goditur me thikë.

    Por të dyja familjet janë sqaruar dhe kanë tentuar ta qetësojnë agresorin se nuk ishte qëllimi i tyre ta mërzisnin me prezencën e maceve.

    Policia përshkruan se plagët e fundit të 38-vjeçarit që hyjnë tek dëmtimet e rrezikshme për jetën, pasi njëra prej tyre është prerje në qafë.

    I ati i tij, i cili i qëndron afër të plagosurit, tregon i terrorizuar

    “Isha në Durrës dhe më morën në telefon. Më thanë hajde shpejt se djali është plagosur në qafë nga personi i quajtur F.C. Ky person njihet në lagje si pijanec dhe si një person i palogjikshëm, pasi pjesën më të madhe të ditës e gjen në lokale, duke pirë ose komplet të dehur. Ky person, ka probleme me gjaknxehtësinë dhe me mungesën e logjikës”.

    Policia thotë se ka marrë në pyetje 42-vjeçarin F.C., i cili për sjelljen e  tij, ia vë fajin alkoolit.

    Autori i krimit punon bojaxhi, përmend policia dhe atë ditë nuk kishte gjetur punë, ndaj ishte ulur dhe gjithë ditën ka pirë raki.

    “Pasi piva në mëngjes, u ktheva dhe rregullova veglat e punës, pastaj kur shkova në lokal, piva prapë dhe u kujtova që kisha në xhep bisturinë elektrike. Shkova për ta lënë tek veglat, por rrugës më doli fqinji. Sapo e pashë e nxora nga xhepi bisturinë (thikë elektricisti) dhe e godita direkt në qafë. Ai u mbrojt dhe duke menduar se po kundërpërgjigjej, e qëllova prapë. E lashë bisturinë tek veglat e punës dhe u ula prapë në kafe. Kur më mori motra në telefon, më tha se po më kërkonte policia, nuk kundërshtova, por u paraqita menjëherë. Të gjithë këtë veprim e kam kryer nga alkooli”.

    I arrestuari këmbëngul se nuk deshi ta vrasë, por vetëm që ta trembë. Ndërkohë që policia thotë se ka përpiluar dokumentet ndaj tij për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë.

    Sipas policisë, shkalla e rrezikshmërisë, pra goditja në qafë është e nivelit të lartë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit